Ndërlidhjet

Ulja e pagave në administratë përplas partnerët e koalicionit


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, foto nga arkivi.

Propozimi për uljen e pagave të punonjësve në administratën shtetërore, si masë për të amortizuar goditjen që ka marrë ekonomia e vendit nga koronavirusi, ka përplasur partnerët e koalicionit në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut.

Qeveria teknike – që përfshin edhe një ministër dhe tre zëvendësministra ngapartia opozitare VMRO-DPMNE – u formua për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin paraparë të mbaheshin më 12 prill, por përkundër anulimit të zgjedhjeve, kjo qeveri do të vazhdojë të funksionojë deri në normalizimin e gjendjes me koronavirusin.

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njëherësh kryetari i partisë më të madhe maqedonase, Lidhjes Social Demokrate, vlerëson se të gjithë qytetarët duhet të tregohen solidarë në këto momente të rënda për vendin. Sipas tij, dëmi që po pëson sektori privat nga koronavirusi duhet të amortizohet me uljen e pagave të të gjithë të punësuarve në administratë, pavarësisht nivelit, duke propozuar që të kenë pagë minimale prej 235 eurosh.

“Të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të marrin pagë minimale”, thuhet në njërën nga 15 masat e propozuara nga Zaev. Po ashtu Zaev ka propozuar që “çdo të punësuari në kompanitë private, të prekura nga kriza, shteti t’u sigurojë pagë minimale për muajin prill dhe maj”.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), vlerëson se duhet të ulen vetëm pagat e funksionarëve dhe t’u hiqen benefitet që gëzojnë, por kjo parti kundërshton idenë që pagat t’u ulen punonjësve të administratës.

“Si ministër i Ekonomisë, kisha mundësinë që në disa raste t’iu përgjigjem propozimeve të LSDM-së, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Por, unë jam i gatshëm të më ulet paga. Por, jo vetëm unë. Ne si BDI e mbështesim masën që ka të bëjë me pagën minimale për të gjithë funksionarët dhe të emëruarit, por jemi kundër që të shkojmë me pagë minimale për administratën publike”, tha për mediat, ministri i Ekonomisë, nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi.

Kundër uljes së pagave të punonjësve të administratës është shprehur edhe lideri i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski. Ai ka kërkuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev që menjëherë të tërheqë propozimin për shkurtimin e pagave sepse sipas tij, me këtë propozim, kriza ekonomike do të thellohej.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se me uljen e pagave të punëtorëve në administratë, synohet të sanohet dëmi i shkaktuar nga koronavirusi.

“Meqë shihet se numri i punëtorëve në administratë është goxha i madh dhe shkon në mbi 150 mijë, qeveria tashmë e ka kuptuar se ulja e pagave, që ka kosto të madhe, ulë shpenzimet. Tash, ulja e pagave të të gjithë punonjësve të administratës në pagë minimale, mund t’i frustrojë ata, mirëpo është një diçka që duhet bërë patjetër për shkak se kostoja e dëmit ekonomik që po bëhet nga koronavirusi, duhet të ndahet në mes qeverisë dhe sektorit privat”.

“Ajo që do të kursehet nga zvogëlimi i pagave do të mund të injektohet në ndihmesën e sektorit privat dhe atyre që marrin ndihmë sociale”, thotë Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike.

Kundër propozimit të LSDM-së për uljen e pagave në administratën shtetërore, ka dalë edhe Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, duke theksuar se “propozimi është radikal dhe do të ndikojë direkt ndaj punonjësve të cilët janë më së paku të paguar”.

XS
SM
MD
LG