Ndërlidhjet

Anulohen zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut


Pamje nga një takim i mëhershëm i liderëve politikë në Maqedoni të Veriut.
Pamje nga një takim i mëhershëm i liderëve politikë në Maqedoni të Veriut.

Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të anulojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që ishin paraparë të mbahen më 12 prill.

Pas takimit të mbajtur nën organizim të presidentit, Stevo Pendarovski, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve. Për datën e re të zgjedhjeve, Zaev tha se do të vendoset pas normalizimin të gjendjen me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

“Nuk ka kushte për zgjedhje normale dhe si liderë të përgjegjshëm të gjithë vihen në funksion në luftë me koronavirusin”, ka deklaruar Zaev.

Ai ka theksuar se gjendja është shumë serioze andaj edhe ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

“Mendoj se mënyra më e mirë për përballje me koronavirusin do të ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe jo shpallja e gjendjes së krizës siç kërkoi lideri i opozitës, Hristijan Mickovski. Kjo do të na ndihmojë në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur jetën e qytetarëve, marrjen e masave ekonomike dhe të masave tjera në funksion të normalizimit të gjendjes”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka mbështetur masat, por ka kërkuar edhe respektimin e Kushtetutës, si në rastin e anulimit të zgjedhjeve, ashtu edhe për përballje me koronavirusin, gjegjësisht shpalljen e gjendjes së krizës.

“Kërkojnë që ekipet e ekspertëve të takohen sa më shpejt dhe të dalin me qëndrime për të gjitha dilemat. Mbetemi në qëndrimet se prioritet mbetet shëndeti i qytetarëve dhe përballja me virusin. Edhe më parë kemi tërhequr vëmendjen për masa më të qarta dhe efikase dhe jo të priten paraqitje të rasteve që më pas institucionet në nisin me punë. Që para një jave kërkuam masa parandaluese, por institucionet pritën paraqitjen e rasteve të para që më pas të ndërhyjnë”, ka deklaruar Mickovski.

Arrin në 31 numri i të infektuarve me koronavirus

Ndryshe, numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është rritur në 31 persona, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, por duke paralajmëruar mundësinë që brenda një muaji numri i të infektuarve të arrijë deri në dy mijë.

“Sot në mëngjes janë testuar 10 persona. Testet e tre personave janë pozitivë të cilët më parë janë testuar në klinikën private ‘Zhan Mitrev’, dhe për të cilët Instituti i Shëndetit Publik ka bërë teste kontrolluese me çka konfirmohet rezultati paraprak. Gjendja e të gjithë pacientëve është stabile”, ka shkruar Ministri i Shëndetësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev ka bërë të ditur se pjesëtarët e saj janë duke ruajtur 173 persona që ndodhen në izolim. Kundër katër personave që nuk kanë respektuar masat, janë ndërmarrë masa në përputhje me rekomandimet e qeverisë.

Gjatë ditë në Maqedoni të Veriut pritet të hyjnë së paku 200 shtetas nga vende të ndryshme dhe të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve dhe të njëjtin do të futen në vetizolim.

Ministria e Ekonomisë dhe drejtuesit e disa subjekteve afariste kanë bërë thirrje që të mos bëhet panik me furnizimin me ushqimin, meqë të gjitha supermaketet e mëdha janë të furnizuara me ushqime, ndërsa rezerva ka për një muaj të tërë, por më pas do të ketë furnizime të reja.

Qeveria ka vendosur çmimet mbrojtëse për artikujt me elementar ushqimor, kështu që subjektet afariste nuk do të guxojnë të ngritin çmimet.

Qeveria të hënën gjithashtu ka marrë vendim për mbylljen e vendkalimeve kufitare dhe të aeroportit ndërkombëtar në Shkup, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Autoritetet në Maqedoni të Veriut, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, kanë futur në karantinë Komunën e Dibrës dhe Zhupës, komuna këto me numrin më të madh të të infektuarve me COVID-19.

Më herët, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar po ashtu që të mbyllen shkollat në mbarë vendin.

XS
SM
MD
LG