Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut drejt shtyrjes


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Partitë politike në pushtet dhe opozitë në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar mbi nevojën për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të parapara të mbahen më 12 prill. Kërkesa e tyre ka ardhur për shkak të gjendjen me koronavirusin që ka përfshirë edhe këtë vend, me 18 të infektuar dhe dy qytetet të izoluara. Për gjendjen me Covid-19, pasdite do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe në bazë të paralajmërimeve, pritet shpallja e gjendjes së krizës në gjithë Maqedoninë e Veriut.

Shtyrja e zgjedhjeve dhe caktimi i datës së re duhet të vendoset në takimin e liderëve të partive politike dhe më pas të votohet nga kuvendi, që tashmë është i shpërndarë.

Fillimisht kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve e paraqiti lideri i opozitës, Hristijan Mickovski.

“Të gjitha rekomandimet e organizatave të brendshme dhe botërore janë se përgjigja më e mirë për përballje me koronavirusin është shmangia e aktiviteteve politike. Zgjedhjet mund të hapin vatra zjarri të koronavirusit. Paramendojeni ditën e zgjedhjeve kur në një hapësirë do të jenë anëtarët e këshillave zgjedhorë. Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë, njerëzore, racionale apo pragmatike që të mos anulohen, pasi që për mua, por besoj edhe për të tjerët, lufta për pushtet me çmim të jetëve të qytetarëve, është e papranueshme”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski.

Më pas shtyrjen e zgjedhjeve e kërkoi edhe kryetari i LSDM-së në pushtet, Zoran Zaev.

“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve nuk kanë asnjë çmim. Të gjitha aktivitetet duhet të fokusohen në mbrojtjen e qytetarëve. Unë në emër të LSDM-së do të kërkoj organizimi e takimit të liderëve me kryetarët e partive politike, në të cilën do të diskutohet për anulimin e zgjedhjeve”, u shpreh Zaev.

Përmes një njoftimi me shkrim është prononcuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

"Zgjedhjet dhe fushata janë çështja e fundit në radhën dhe agjendën e prioriteteve tona, për arsye se të gjitha kapacitetet tona njerëzore, intelektuale, institucionale i kemi vënë në shërbim të ngadhënjimit në betejën e përbashkët kundër virusit. Tash, neve na duhet fitore ndaj virusit e jo fitore në zgjedhje. Me zgjedhjet dhe fushatën do të merremi pasi ta mposhtim këtë kërcënim ndaj të gjithë neve dhe bashkë ju sigurojmë se do ta mposhtim”. thuhet në njoftimin e BDI-së.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, si të dielën po ashtu edhe të hënën nuk ka raportuar për raste të reja me koronaviruin e ri.

XS
SM
MD
LG