Ndërlidhjet

Asnjë rast i ri me koronavirus në Maqedoni të Veriut


Shkup, 15 mars, 2020.

Maqedonia e Veriut të dielën nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus, që shënon edhe ditën e parë pa të infektuar me Covid-19. Shtatë personat që janë testuar për koronavirusin e ri kanë rezultuar negativ nga analizat e bëra nga laboratori i Virusologjisë dhe diagnostikës molekulare. Bëhej fjalë për shtetas nga disa qytete të cilët para disa ditësh ishin kthyer nga Zvicra, Austria dhe Gjermania. Në mesin e personave që janë testuar gjendeshin edhe dy gra shtatzëna nga Dibra.

Sa i përket gjendjes shëndetësore të 18 pacientëve që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se gjendja e tyre është e qëndrueshme.

“Vetëm pacientja e parë nga Dibra është në aparat për frymëmarrje. Të gjithë pacientët tjerë janë me pasqyrë të lehtë klinike, përshirë edhe pacientin 15-vjeçar. Të gjithë janë të vendosur në repartin për izolim”, ka deklaruar Filipçe.

Ndërkohë, Prokuroria Publike ka paralajmëruar ngritje të padive penale për secilin që nuk zbaton masat qeveritare kundër përhapjes së koronavirusit. Në udhëzimin e obliguar në faqen e internetit të Prokurorisë theksohen më shumë padi penale në lidhje me rregulloret shëndetësore gjatë një epidemie në të cilën do të fokusohen prokurorët.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare më 12 prill, megjithëse kryetari, Oliver Derkoski ka thënë se partitë do të ishte mirë të shqyrtojnë vendimin për mbajtjen e zgjedhje, apo varësisht situatës edhe të shtyhen.

“Vendimet duhet të sillen me kokë të ftohtë dhe me logjikë. Besoj se institucionet janë duke e ndjekur situatën çdo ditë. Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha. Për çdo gjë tjetër ka kohë”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.

Vendimin për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve duhet ta marrin partitë politike dhe kuvendi, i cili është organi i vetëm i cili e miraton një akt të tillë. Sipas ligjeve, pavarësisht se është shpërndarë, institucioni ligjvënës mund të mblidhet në situata të jashtëzakonshme dhe të sjellë vendime përkatëse.

Të hënën është paraparë mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të cilin udhëheq presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Armata e Maqedonisë së Veriut aktualisht njësitet e saj i ka vendosur në Dibër dhe Zhupë për të ndihmuar institucionet në përballje me gjendjen, meqë numri i më i madh i të infektuarve është nga këto dy zona.

Nga sot kanë hyrë në fuqi edhe ndalesat për punën e kafeneve, bareve dhe qendrave të mbyllura tregtare, përveç barnatoreve dhe dyqaneve ushqimore.

XS
SM
MD
LG