Ndërlidhjet

Njëzet e një të mbijetuar të aksidentit arrijnë në Kosovë


Familjarë të të mbijetuarve të aksidentit në Kroaci, të mbledhur para aeroportit në Prishtinë, 27 korrik, 2021.
Familjarë të të mbijetuarve të aksidentit në Kroaci, të mbledhur para aeroportit në Prishtinë, 27 korrik, 2021.

Të mbijetuar të aksidentit rrugor në Kroaci arritën të martën mbrëma në Kosovë.

Avioni që u nis nga Osijeku, ateroi në Prishtinë pak pas orës 22:00.

Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se 21 të mbijetuar arritën në Kosovë.

Ata u pritën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa u shoqëruan më pas nga familjarët e tyre.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha në një konferencë për media se 15 të lënduar vazhdojnë trajtimin në spitalin e Sllavonski Brodit, ndërsa dy prej tyre - njëri në gjendje të rëndë - janë në njësi të kujdesit intensiv.

Nga të liruarit nga spitali, katër prej tye kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani, tha Vitia, ndërsa një pasagjere e lënduar është transferuar në një spital të Zagrebit.

Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën të dielën, kur autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod të Kroacisë.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Shoferi u ndalua në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thanë se viktimat do të sillen në Kosovë përmes transportit rrugor.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha për Radion Evropa e Lirë se trupat do të sillen gjatë natës, porse nuk dihet ora e saktë, për shkak të autopsisë që po bëjnë autoritetet kroate.

Shënim: Lajmi është korrigjuar pasi Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë të përmirësuar me numrin e të mbijetuarve që kanë arritur në Kosovë. Qeveria ka konfirmuar se numri i të mbijetuarve që kanë arritur në Kosovë është 21, dhe jo 27 siç është thënë fillimisht.

XS
SM
MD
LG