Sa vjet burgim ka kërkuar Prokuroria?
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj për Hajredin Kuçin.
Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte. Nëse shpallet fajtor edhe në rastin për pengim të drejtësisë, ai mund të marrë një dënim tjetër.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tij dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë në vitin 2023, u ka dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00
Gjykata Speciale në Hagë pritet të nisë në orën 10:00 seancën për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij për pengim të dyshuar të drejtësisë.
Përveç Thaçit, në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.
Të pesë të akuzuarve u është kërkuar të jenë fizikisht të pranishëm në seancë, e cila zakonisht transmetohet me dhjetë minuta vonesë.
Mirëmëngjesi, të dashur lexues!
Unë jam Valona Tela dhe sot do t’ju mbaj të informuar për zhvillimet nga Gjykata Speciale në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë.
Përmes këtij blogu do t’ju sjellim informacionet më të fundit, vendimet e gjykatës dhe reagimet që do të pasojnë.
Na ndiqni!