Ndërlidhjet

Kurti: Do të ketë zbatim të pakompromis të masave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është brengosëse shkalla e ulët e respektimit të masave kundër koronavirusit, andaj ai tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të mbajtur të dielën më 29 gusht, kanë vendosur që të rrisin kapacitetet mbikëqyrëse, me qëllim që të respektohen masat.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u mbajt në ditën kur Kosova shënoi rekord të rasteve të vdekjeve, përkatësisht në vend u shënuan 36 të vdekur. Kurti tha se pesë nga viktimat kishin të paktën një dozë të vaksinës.

Që një person të konsiderohet i vaksinuar plotësisht duhet që të kalojnë dy javë nga doza e dytë. Kurti tha se disa qytetarë që kanë marrë ndonjërën dozë, gjatë kësaj periudhe dyjavore nuk janë kujdesur, prandaj edhe janë infektuar. Sipas tij, nga 1 deri më 27 gusht, 7.59 për qind e personave të infektuar kanë qenë të vaksinuar me të paktën një dozë.

“Jemi në një pikë kritike. Ata që janë vaksinuar, nëse nuk janë të kujdesshëm bëhen super-shpërndarës, ndërkohë që vetë janë të sigurt janë bartës e përhapës të virusit. Pikërisht, ne që jemi të vaksinuar duhet të jemi edhe më përgjegjës seç ishim në të kaluarën”, tha Kurti.

Kurti tha se do të ketë gjoba për shkeljen drastike të masave, do të rritet prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe do të rritet numri i inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Sipas tij, do të ketë gjashtëfishim të inspektorëve, nga 17 sa janë gjithsej do të shtohen edhe 85 të tjerë. Ndërkaq, orari i policëve do të jetë 12-orësh jo tetë sa ishte deri më tani.

“Pra do të ketë zbatim të pakompromis të masave”, tha Kurti.

Autoritetet, tha Kurti, kanë rritur kapacitetet e shtretërve prej mbi 1.600 dhe ka mundësi që të shtojë edhe më shumë shtretër nëse është e nevojshme, përfshirë edhe 100 shtretër që janë në dispozicion të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sipas trendit aktual, numri i të hospitalizuarve pritet të rritet ditëve në vijim.

Ai tha se sipas të dhënave për javën e kaluar, brenda ditës, mesatarisht 106 persona u hospitalizuan ndërkaq 57 të tjerë u liruan nga spitali.

Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.

Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar me të dy dozat.

XS
SM
MD
LG