Ndërlidhjet

Për dhe kundër vullnetit të Vuçiqit për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me emisarët evropianë dhe amerikanë në Beograd.

Një deklaratë dhe një breshëri komentesh. Kështu ndodhi kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është i gatshëm të punojë në planin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Plani iu prezantua atij më 20 janar nga diplomatë të një ekipi evropiano-amerikan në Beograd, por ai nuk është ende publik.

Pas takimit me ta, Vuçiq tha se është i gatshëm “ta pranojë konceptin” dhe “të punojë në zbatimin e planit për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me ish-krahinën e saj, Kosovën”.

Tri ditë më vonë, edhe Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila ka pushtetin në Serbi dhe udhëhiqet nga Vuçiqi, shprehu publikisht mbështetjen e saj për presidentin e Serbisë.

Çfarë ndodhi ndërkohë?

Gati të gjitha partitë politike në Serbi dhe figura të tjera politike shprehën pozicionin e tyre ndaj deklaratës së Vuçiqit.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por vazhdon të jetë një temë tabu për politikanët në Serbi.

Pavarësinë e saj nuk e njohën as partitë që ishin në pushtet para SNS-së, e që sot janë kryesisht në opozitë.

Kush e mbështet pranimin e planit?

Mbështetje të hapur për pranimin e propozimit për Kosovën dha Partia Liberal-Demokratike (LDP).

Kjo parti nuk ka përfaqësues në Kuvendin e Serbisë.

Kryetari i LDP-së, Çedomir Jovanoviq, tha përmes një deklarate për media më 22 janar se ky propozim është “rasti i fundit që, pas disa dekadash bredhjeje, t’i vihet pikë problemit të Kosovës”.

“Koha që ia humbëm vetes, duke refuzuar propozimet e mëparshme, e bëri këtë shoqëri më të palumturën në Evropë, andaj sot po mbytemi në nacionalizmin që na ka shkatërruar ne dhe gjithçka rreth nesh”, tha Jovanoviq.

Ai shtoi se çdo zgjidhje tjetër e ardhshme do të jetë më pak e favorshme për Serbinë.
Partia rajonale opozitare, Lidhja e Social-Demokratëve të Vojvodinës, (LSV) kërkoi që Vuçiq “ta pranojë sa më shpejt marrëveshjen për marrëdhëniet e ndërsjella midis Serbisë dhe Kosovës”.

“Vuçiq duhet ta ndërpresë politikën e tij të pavendosur dhe ta shpëtojë Serbinë nga sanksionet e reja, rënia ekonomike dhe shkatërrimi”, tha Bojan Kostresh, kryetar i LSV-së, më 21 janar.

Sipas tij, e vetmja mënyrë për ta zhvilluar dhe modernizuar Serbinë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Kjo parti nuk ka asnjë përfaqësues në Kuvendin e Serbisë, ndërsa ka pesë përfaqësues në Kuvendin e Vojvodinës.

Kryetari i Lëvizjes Serbe për Rindërtim (SPO) dhe ish-shefi i diplomacisë serbe, Vuk Drashkoviq, shkroi në profilin e tij në Twitter se plani për Kosovën “duhet pranuar”.

“Çdo plan tjetër do të ishte i pafavorshëm për Serbinë dhe serbët në Kosovë. Le t’i kujtojmë përvojat dhe pasojat tragjike për shkak të të gjitha planeve që nuk i pranuam gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha Drashkoviq.

Krahas partive opozitare, mbështetje ofroi edhe ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave, njëherësh anëtare e Kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe, Zorana Mihajlloviq.

Ajo shkroi në profilin e saj në Instagram se nuk ka asnjë dilemë dhe se “të jetosh në të kaluarën, nuk është opsion”.

“Për çështjen e Kosovës, ne jemi duke vendosur nëse do të fillojmë me të vërtetë t’i zgjidhim problemet. Problemet mes nesh dhe të tjerëve rreth nesh”, tha Mihajlloviq.

Kërkesat për publikimin e planit

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjillas, tha për Televizionin Prva të Serbisë më 22 janar se qytetarët duhet ta shohin fillimisht propozimin e BE-së për Kosovën, i cili më pas duhet të diskutohet në Kuvend.

SSP është partia më e madhe opozitare në Parlamentin e Serbisë dhe udhëheqësi i saj është ish-deputet i Partisë Demokratike, e cila ka qenë në pushtet përpara se ta merrte SNS-ja më 2012.

“Për mua do të ishte krim që dikush ta njihte Kosovën, por për mua do të ishte gjithashtu krim që dikush t’ua mohonte brezave të ardhshëm dhe fëmijëve tanë një të ardhme evropiane. Serbia është një vend evropian. Ne jemi një komb evropian”, tha Gjillas.

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, shkroi në llogarinë e tij në Twitter më 21 janar se kjo marrëveshje ka të bëjë me “interesat tona më të larta kombëtare”.

“Është e papranueshme që presidenti i shtetit ta shprehë gatishmërinë e tij për zbatimin e parimeve të asaj marrëveshjeje pa konsultim të gjerë me institucionet kompetente”, tha Tadiq, i cili njësoj si Gjillas është ish-deputet i demokratëve.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, bëri një postim në llogarinë e saj në Twitter, ku akuzoi ish-Qeverinë serbe për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Tadiq iu përgjigj duke e ftuar atë në një duel televiziv.

“Nëse mund t’i bëni publike akuzat e tilla, që kanë të bëjnë me interesat më të larta kombëtare, duhet t’iu mundësoni qytetarëve që të dëgjojnë edhe palën tjetër. Ju ftoj në duel televiziv si ish-president dhe përfaqësues i Qeverisë që po e akuzoni, jo si lider i opozitës”, tha Tadiq.

E djathta, e ashpër në kritikat e saj

Boshko Obradoviq, udhëheqës i lëvizjes parlamentare djathtiste, Dveri, kërkoi më 20 janar seancë urgjente të Kuvendit të Serbisë, në mënyrë që, siç tha, deputetët të njihen me propozimin e BE-së, si dhe me “rreziqet dhe sfidat, me të cilat do të përballej Serbia”.

“Nuk jam prej atyre në opozitë që brohorisin se Vuçiq po e tradhton Kosovën, për ta sulmuar dhe shkatërruar. Ne duhet t’i bëjmë presion Qeverisë aktuale, si në Parlament, ashtu edhe me protesta në rrugë, që shteti i Serbisë ta refuzojë ultimatumin e Perëndimit, ose Vuçiq të japë dorëheqje nëse për të kjo është barrë e tepërt”, shkroi Obradoviq në Twitter.

Millosh Jovanoviq, kryetar i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS) me orientim djathtist, kërkoi që të publikohet përmbajtja e planit të BE-së për Kosovën, sepse, siç tha, “fati i shtetit nuk mund të negociohet fshehurazi dhe pa popullin serb”.

“Ne vlerësojmë se është e domosdoshme që me vendosmëri të refuzohen kërkesat për njohjen e shkëputjes së krahinës sonë jugore, si dhe kërkesat për një lloj anëtarësimi të saj në organizatat ndërkombëtare”, tha Jovanoviq më 21 janar.

Lëvizja e djathtë për Rindërtimin e Mbretërisë së Serbisë (POKS) kërkoi që deputetët e Kuvendit të Serbisë, por edhe qytetarët të shprehin mendimin e tyre për planin për Kosovën, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Sipas kësaj partie, miratimi i këtij plani “do të ishte i papranueshëm pa një diskutim të gjerë paraprak e publik”.

Kryetari i Partisë Popullore dhe ish-shefi i diplomacisë së Serbisë, Vuk Jeremiq, shkroi në Twitter më 22 janar se “Prishtinës nuk guxon t’i lejohet ulëse në OKB”.

Mbështetje nga përparimtarët dhe partnerët e koalicionit

Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe nënkryetari i SNS-së, Vlladimir Orlliq, tha më 23 janar se opozita vetëm se dëshiron ta sulmojë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Mbështetje ofroi edhe ministri i Jashtëm serb dhe kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se sulmet ndaj presidentit vetëm se e dëmtojnë Serbinë.

Bërnabiq tha se komentet kundër Vuçiqit paraqesin “një dëshirë të paturpshme për të fituar pushtet politik, sado të vështira të jenë kohërat për Serbinë”. Mbështetja u dha edhe nga disa komitete lokale përparimtare.

Disa media raportuan se presidenti i Serbisë ka ofruar dorëheqjen e tij në një mbledhje partiake më 22 janar, pasi kolegë të partisë e kanë kritikuar. Megjithatë, pretendimet e tilla nuk janë konfirmuar apo mohuar deri në publikimin e këtij artikulli.

Presidenti i Serbisë mori pjesë në seancën e Qeverisë së Serbisë kushtuar Kosovës, më 23 janar. Siç thuhet në njoftimin e zyrës së tij, ai kërkoi nga ministrat përkushtim të plotë, zell dhe punë edhe më intensive në të ardhmen.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG