Ndërlidhjet

Debati për Kosovën në Kuvendin serb vazhdon të premten


Kuvendi i Serbisë, të enjten, 2 shkurt 2023
Kuvendi i Serbisë, të enjten, 2 shkurt 2023

Seanca në Kuvendin e Serbisë, ku deputetët debatuan lidhur me Kosovën që nga orët e mëngjesit, ka përfunduar dhe do të vazhdojë më 3 shkurt, në orën 11:00.

Në këtë seancë ishte i pranishëm presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në përfundim të seancës së të enjtes tha se "Serbinë e presin ditë shumë të vështira".

“Duhet të flasim, të kërkojmë zgjidhje, të gëlltisim, të heshtim, pa rrezikuar interesat jetike, por të jemi të hapur për kompromis”, tha ai.

Siç theksoi presidenti serb, është e nevojshme që të qetësohen marrëdhëniet me shqiptarët, sepse kjo është në interesin më të mirë të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Vuçiq më herët gjatë ditës foli për planin evropian – apo franko-gjerman – për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”. Seanca u përcoll me përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe liderit serb.

Gjatë seancës, deputetët e opozitës brohoritën slogane sikurse “Tradhti”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”. Ata po ashtu mbanin pankarta me mbishkrimin “Jo kapitullimit”.

Në orët e pasdites, teksa po zhvillohej seanca plenare, para Kuvendit të Serbisë një grup qytetarësh protestuan kundër planit evropian. Protestuesve iu bashkuan edhe disa deputetë të partive opozitare serbe.

Në këtë protestë u panë dy persona të veshur me xhaketa me simbolin e grupit rus të mercenarëve, Wagner, dhe grupit të djathtë serb, Patrulla Popullore e Serbisë.

Në nisje të debatit, të enjten, Vuçiq tha se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

Presidenti i Serbisë përsëriti atë që i thanë diplomatët evropianë dhe amerikanë gjatë takimit në Beograd më 20 janar, se do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën.

“Më kanë thënë se do të përballeni me pezullimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si ata që nuk janë dakord me BE-në duhet të largohen”, tha Vuçiq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për Kosovën, Vuçiq tha se është kundër pranimit të Kosovës në OKB dhe se "nuk do ta njoh Kosovën e pavarur dhe nuk do të bëj kurrë asgjë në favor të tyre”.

Në fund të kësaj seance pritet të miratohet raporti i Qeverisë serbe lidhur me dialogun me Kosovën.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, Igor Simiq, Goran Rakiq dhe Millan Radoiçiq, gjatë seancës plenare në Kuvendin serb. Beograd, 2 shkurt 2023.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, Igor Simiq, Goran Rakiq dhe Millan Radoiçiq, gjatë seancës plenare në Kuvendin serb. Beograd, 2 shkurt 2023.

Në mesin e tyre është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Çfarë tha Vuçiq për planin evropian?

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiq tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve evropianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Vuçiq konfirmoi se 90 për qind e asaj që është bërë publike për përmbajtjen e planit është e saktë.

“Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq tha se politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht.

“Le të përmbahemi dhe të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sigurinë për serbët në Kosovë dhe tha se Beogradi do të insistojë, siç tha ai, në formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

Në fund të fjalës së tij në Kuvend, Vuçiq deklaroi se nëse Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, Kushtetuta e Serbisë do të jetë për të “libër i shenjtë”.

“Në mes të qëndrimit tim në pushtet, në mandatin e garantuar me Kushtetutë, e di se çfarë duhet të bëj, sepse nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë. Unë do të zgjedh Serbinë”, tha ai.

Ai shtoi se kapitullimi dhe dorëzimi nuk janë opsione.

Opozita serbe kundërshton planin franko-gjerman

Lideri i Lëvizjes opozitare të orientuar nga e djathta, Dveri, Boshko Obradoviq, e quajti planin franko-gjerman "një ultimatum perëndimor". Nëse Serbia do ta pranonte planin, tha Obradoviq, ai do të ishte "kapitullimi i shtetit".

Obradoviq vlerësoi se thelbi i planit franko-gjerman është që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, duke i kërkuar Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare.

“Kërkohet në krye të shtetit një serb që do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ky është thelbi i marrëveshjes franko-gjermane”, tha Obradoviq.

Shefi i grupit parlamentar të Unionit të Hungarezëve të Vojvodinës, Balint Pastor, në fjalën e tij tha se paqja dhe stabiliteti duhet të jenë prioriteti i parë për të gjithë qytetarët e Serbisë. Ai tha se propozimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, “po përkeqësohen me kalimin e kohës”.

Kryetari i grupit parlamentar pro-evropian të Klubit të Majtë të Gjelbër, Ne davimo Beograd, (Të mos fundosim Beogradin) Radomir Lazoviq i tha presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të harrojë mbështetjen për të cilën erdhi që ta kërkojë.

Opozita serbe mbajti pankarta me fotografinë e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, me mbishkrimin “Do të përgjigjesh” si dhe “Vuçiq e tradhtove Kosovën”.
Opozita serbe mbajti pankarta me fotografinë e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, me mbishkrimin “Do të përgjigjesh” si dhe “Vuçiq e tradhtove Kosovën”.

Lazoviq tha se opozita duhet ta shohë planin në mënyrë që të mund të deklarohet për të.

Ai ua drejtoi përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare me pyetjen: “Çfarë mesazhi po i dërgoni Serbisë kur adresa juaj e vetme për biseda është Aleksandar Vuçiq?”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërsa Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG