Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Haga donte që Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte, të vdiste pas hekurave.
Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar në Hagë me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, vdiq më 27 gusht, në moshën 85-vjeçare, në një spital në Hagë.
“Ne tani pamë se Haga donte që Mlladiq të vdiste pas hekurave, jo në spital. Veçanërisht, nuk donin të lejonin që gjenerali të vdiste në Serbi, aty ku ai dëshironte”, tha Vuçiq për gazetarët në Oseçinë.
Video: Krimet e "Kasapit të Bosnjës"
Ai e cilësoi këtë si “sjellje jocivilizuese, të paprecedentë dhe të pajustifikueshme”.
Vuçiq tha se Mlladiq do të varroset aty ku të dëshirojë familja dhe se autoritetet serbe aktualisht nuk kanë asnjë informacion për këtë çështje.
“Nëse familja dëshiron që Mlladiqi të varroset në Serbi, ne do të ndihmojmë që kjo të bëhet në mënyrë dinjitoze”, tha Vuçiq.
Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republika Sërpska, Ratko Mlladiqi, u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen e detyruar të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2021, Mlladiqi u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiqi ishte fajtor për gjenocidin e kryer ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara (OKB), në verën e vitit 1995.
Mlladiqi u shpall fajtor për një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që kishte qëllim largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës, përmes krimeve të përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar si akt çnjerëzor dhe dëbimit.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Sërpska u shpall fajtor edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit në mesin e popullsisë civile, veprimet me snajperë dhe granatimet, vrasjet, terrorizimin dhe sulmet e paligjshme ndaj civilëve.
Gjithashtu, ai u shpall fajtor për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me marrjen e pengjeve, për kapjen e pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjen e tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të reja ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.
Ai u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnjë e Hercegovinës gjatë vitit 1992 – Prijedor, Sanski Most, Kljyç, Kotor Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.
Sipas tij, në Hagë janë dërguar ekipe logjistike për të ndihmuar në transferimin e trupit të pajetë të Mlladiqit në Serbi.
Më herët, ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, tha se Mlladiqi do të varroset me nderimet më të larta shtetërore, siç raportoi televizioni Alternativa nga Banja Lluka (ATV).