Ndërlidhjet

Vuçiq në Kosovë: Nuk do të bëj thirrje për luftë


Vizita e Vuçiqit në Ujman
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë përfaqësuesve serbë të komunave veriore të Kosovës se nuk është i sigurt se do të mund të arrihet marrëveshje në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ai është shprehur i gatishëm që bisedimet dhe angazhimet për një zgjidhje të pranueshme të vazhdojnë.

Komentet e tij, Vuçiq i bëri në përmbyllje të ditës së parë të vizitës së tij dyditore në Kosovë, në komunën e Zveçanit, gjatë një bashkëbisedimi me serbët e atjeshëm, kryesisht përfaqësues te Listës Serbe.

Ai tha se ka disa njerëz që paraqiten si trima dhe thonë se do ta flijonin jetën e tyre për Kosovën, kurse nuk janë të gatshëm të jetojnë as një ditë në Kosovë. E po ashtu, nënvizoi ai, ka edhe të atillë që thonë se Kosova është e humbur që moti dhe kërkojnë që Serbia ta njoh pavarësinë e saj.

“Më së paku ka serb racional të cilët e dinë se sa komleks (i vështirë) është ky problem dhe të cilët e dinë se nuk është krejt e jona, por as krejt e atyre”, theksoi Vuçiq.

Para se takimi me përfaqësuesit serb të vazhdonte prapa dyerve të mbyllura, pa media, Vuçiq tha se arritja e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vështirë jo vetëmm për shkak të dallimeve ndërmjet palëve, por edhe për shkak të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.

“A do të thërras për luftë, jo këtë nuk do ta bëj që familjet e juaja t’i shtyj drejt vdekjes”, tha presidenti serb.

Me të mbërrijtur në Kosovë, Vuçiq u ndal tek Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) ku foli për rëndësinë e këtij Liqeni.

I shoqëruar edhe nga Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, presidenti serb ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Bërnjak që ndodhet në komunën veriore të Zubin Potokut. Aty ai është pritur nga përfaqësuesit politik të serbëve nga komunat veriore të cilët po e shoqërojnë gjatë vizitës.

Eskorta e Vuçiqit po sigurohet nga Policia e Kosovës.

Pas qëndrimit te Qendra Ekologjike Sportive në Zubin Potok, ndalesa kryesore e Vuçiqit ishte te Liqeni i Ujmanit apo siç njihet ndryshe edhe si Liqeni i Gazivodës.

Aty Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.

Ai tha se ka ardhur në Kosovë me idenë që të ruhet paqja, stabiliteti dhe t’i vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për problemet shekullore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Presidenti Vuçiq gjatë adresimit për media në Liqenin e Ujmanit
Presidenti Vuçiq gjatë adresimit për media në Liqenin e Ujmanit

“Duhet ta ruajmë paqen dhe të shikojmë kah e ardhmja”, tha Vuçiq, duke nënvizuar se çështja e kufijve, e cila aktualisht po bëhet temë kryesore në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, do të jetë më pak e rëndësishme në Evropë.

Vuçiq ka komentuar edhe deklaratat e para pak ditëve të kancelares gjermane, Angela Merkel e cila tha se e respekton integritetin territorial dhe u shpreh kundër idesë së shfaqur nga Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim apo ndryshim të kufirit.

(Video: Merkel shprehet kundër ndryshimit të kufijve)

Merkel kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:37 0:00

Ai tha se e kupton që kundërshtarët e tij i janë gëzuar kësaj deklarate. Kurse pranoi se fuqia e tij politike është minimale krahasuar me kancelaren Merkel, e cila përfaqëson ekonominë më të fuqishme evropiane.

“Unë nuk mund ta korrigjojë kancelaren Merkel, por kjo nuk do të thotë se nuk mund angazhohemi të ndihmojë popujt tanë. Kurse kur flasim për integritetin territorial, a po flasim për integritetin para vitit 2008 apo integritetin e vitit 2018”, tha Vuçiq.

“E di që ata që janë kundër meje gëzohen me deklaratat e saj, por nëse ajo thotë ne s’mund ta ndryshojmë atë çka thotë, kjo nuk do të thotë se nuk do të mund t’i ndihmojmë popullit tonë këtu. Jemi të vegjël andaj do të merremi me ekonominë dhe t’i ndihmojmë njerëzit tanë të jetojnë në këto vende”, tha presidenti serb Vuçiq.

Vizita e Vuçiqit ishte vënë në pikëpyetje për faktin se autoritetet e Kosovës, fillimisht i kishin lejuar atij vizitën në pjesën veriore, por jo edhe realizimin e agjendës për vizitë te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Mirëpo, siç kanë deklaruar zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, vizita te Liqeni i Ujmanit ishte lejuar pas trysnisë së Bashkimit Evropian, ngase të premten, Vuçiq në shenjë proteste, kishte refuzuar ta takonte presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiq po cilësohen si burim dhe pasuri ekonomike serbe, çka kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë.

​Të premten gjatë një adresimi opinionit në Serbi, Vuçiq tha se në përputhje me kërkesën e tij drejtuar EULEX-it, KFOR-it dhe autoriteteve të Prishtinës, ai do të shkojë në Kosovë dhe do ta fillojë vizitën pikërisht nga Ujmani (Gazivoda).

“Pres që gjithçka të kalojë mirë dhe pres që atje, në mënyrën më normale t’iu drejtohem njerëzve dhe t’u tregoj njerëzve se sa është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit, jo vetëm për serbët në veri dhe në jug, por edhe për shqiptarët në Kosovë, si dhe sa është e rëndësishme që të investojmë shumë më tepër para”, tha Vuçiq.

Sa dini për Liqenin e Ujmanit?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:43 0:00

Të dielën, Vuçiq ka paralajmëruar se do të mbajë një tubimin me qytetarët në Mitrovicë të Veriut. Ai tha se do të vjen në Kosovë me plane ekonomike konkrete, por edhe për t’ua thënë të vërtetën serbëve të Kosovës.

“Të dielën në orën 12 është tubimi në Mitrovicë, në të cilin unë i ftoj të gjithë njerëzit, të cilët dëshirojnë të dëgjojnë edhe atë që ndoshta nuk do t’iu pëlqejë në tërësi, por do ta dëgjojnë të vërtetën”, Vuçiq.

Sipas tij, në disa ditët e fundit, situata ka qenë mjaft e tensionuar ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar. Ai ka theksuar se gjatë kohës që do ta vizitojë Kosovën, pret që pala tjetër të japë porosi të arsyeshme, ndërkohë që edhe ai do të përpiqet që krejt çka do të flasë, të pranohet mirë me qëllim të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe përparimit në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“Për sa u përket shqiptarëve, Serbia dëshiron paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe shpresoj që në vitet e ardhshme do të mund të vendosim edhe miqësinë me ta. Shpresoj, sepse gjithçka tjetër do të ishte katastrofale për të dy popujt”, theksoi Vuçiq.

Ai ka shprehur besimin që vizita e tij në Kosovë, do të kalojë pa probleme, sepse, siç ka thënë ai, nuk është as në interesin e shqiptarëve që të provojnë të bëjnë diçka të ngjashme që kanë bërë me shefin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Ky i fundit, në mars të këtij viti, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, sepse kishte hyrë në territorin e Kosovës, siç ishte thënë, pa lejen e autoriteteve vendore dhe në mënyrë jolegale. Vuçiq ka shprehur bindjen se një gjë e tillë më nuk mund të ndodhë.

Mitrovica Veriore, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, tashmë është gati për të pritur presidentin serb. Rrugët dhe sheshet e atjeshme, janë përplot flamuj serb, fotografi të presidentit Vuçiq si dhe pankarta që i shprehin mirëseardhje atij.

Pjesa veriore e Kosovës e banuar nga shumica serbe, vazhdon të mbetet e ndikuar nga Beogradi, përkundër përpjekjeve disavjeçare të autoriteteve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.

Kjo vizitë e presidentit serb, po realizohet në kohën kur nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel janë lansuar ide për ndryshimin e kufijve.

XS
SM
MD
LG