Ndërlidhjet

Andy Burnham, kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar

Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, gjatë fjalimit të parë para zyrës së tij. 20 korrik 2026.
Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, gjatë fjalimit të parë para zyrës së tij. 20 korrik 2026.

Andy Burnham është bërë kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, teksa të hënën u takua me Mbretin Charles III në Pallatin Bakingam pas dorëheqjes së Keri Starmer.

Starmer u largua nga zyra e kryeministrit mëngjesin e së hënës dhe në fjalimin e tij përshëndetës tha se pas mandatit dyvjeçar në krye të ekzekutivit, Britania është në pozicion më të mirë.

Monarku britanik fillimisht e takoi Starmerin dhe pranoi dorëheqjen e tij dhe më pas e takoi Burnhamin dhe, sipas procedurës formale, i kërkoi që ta formonte Qeverinë e re dhe ai pranoi.

Burnham është kryeministri i gjashtë i Mbretërisë së Bashkuar në dhjetë vjetët e fundit.

Gjatë fjalimit të parë si kryeministër, Burhnam u zotua se këtë javë do të vendosë masa të reja lidhur me koston e jetesës dhe më vonë gjatë këtij viti do të paraqesë një plan dhjetëvjeçar.

“Britania ka nevojë t’i tregojë botës se mund ta rimarrë stabilitetin në duar të saj”, tha Burnham gjatë fjalimit para zyrës së kryeministrit, që njihet si 10 Downing Street.

“Nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë dhe duhet të bëhemi më të mirë”.

Ai u premtoi britanikëve se Qeveria do të ndërmarrë masa për të luftuar koston e lartë të jetesës.

“Do t’i ndihmojmë të rinjtë që të bëhen pjesë e forcës së punës duke ndryshuar sistemin e arsimit dhe duke u ofruar më shumë mbështetje, më shumë mbështetje të shëndetit mendor dhe duke ndërtuar shtëpi të reja”.

“Kjo është mënyra e mirë dhe e qëndrueshme për projektligjin e mirëqenies, për të përmbushur rregullat tona fiskale dhe për të respektuar angazhimet tona për mbrojtjen ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha ai.



Muajin e kaluar, Starmer dha dorëheqje nga laburistët e panë Burhamin si personin që ka më së shumti gjasa për të korrur sukses.

Në mesin e sfidave kyç të Burnhamit janë ato ekonomike, kostot e larta të kredive qeveritare dhe projektligji për mirëqenie, si dhe çështje e migrantëve.

Po ashtu, çmimet e larta të energjisë elektrike për shkak të luftës në Lindjen e Mesme pritet të jenë sfidë për Qeverinë e tij.

Starmer e kishte udhëhequr Partinë Laburiste drejt fitores më 2024, pas 14 vjetësh të udhëheqjes së shtetit nga konservatorët.

Ai njoftoi për dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe udhëheqësi i partisë në fund të qershorit pas një sërë skandalesh dhe ndryshimesh të politikave.

XS
SM
MD
LG