Ndërlidhjet

“Aneksi” në qendër të mospajtimeve që rrezikojnë Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga qendrat kryesore multifunksionale, ku parashihet të zhvillohen sporte në ambient të mbyllur, në Lojërat Mesdhetare 2030.
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga qendrat kryesore multifunksionale, ku parashihet të zhvillohen sporte në ambient të mbyllur, në Lojërat Mesdhetare 2030.

Teksa Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po afron dhe trysnia mbi përgjegjësit për t’i kryer të gjitha përgatitjet në kohë po rritet, mospajtimet mes pushtetit qendror dhe atij lokal i kanë shtuar shqetësimet se Kosova rrezikon ta humbë organizimin e mbase ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vet.

Një letër që Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ua drejtoi me 15 tetor kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, shpreh shqetësime për mospërmbushjen e detyrimeve financiare, administrative dhe kontraktuale nga Kosova.

Në letrën të cilën e publikoi Rama në llogarinë e vet në Facebook, ICMG-js thotë se nuk janë shlyer garanci bankare në janar dhe qershor, pa dhënë hollësi për to. Ajo shton se Komiteti i saj Ekzekutiv do t’i shqyrtojë “papërgjegjësitë” e Kosovës në një takim më 19 dhjetor.

ICMG-ja paralajmëroi ratifikimin e një propozimi për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme të Përgjithshme, në të cilën do të vendosej për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare 2030.

Kjo lë të kuptohet se, nëse deri atëherë nuk zgjidhen çështjet e ngritura, ICMG-ja ka gjasa t’ia heqë Kosovës të drejtën për organizimin e lojërave.

Rama akuzoi kryeministrin Kurti që “po e vë në rrezik” zhvillimin e lojërave për shkak të mungesës së bashkërendimit dhe “shpërfilljes” së kërkesave të ICMG-së. Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP në Prishtinë, thotë se përplasjet ndërmjet qeverisë dhe komunës mund të ndikojnë drejtpërdrejt dhe seriozisht në organizimin e tyre.

“Një organizim i kësaj përmase kërkon një zinxhir të pandërprerë vendimmarrjeje: financim, prona, planifikim, leje, prokurim dhe përgatitje. Bllokimi në njërën hallkë mund t’i vonojë të gjitha të tjerat” thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ku burojnë mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Komunës?

Tani, në qendër të mospajtimeve të brendshme është një aneks i shtuar në dhjetor të vitit 2025 në marrëveshjen bazë të vitit 2023 mes ICMG-së dhe Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Për organizimin e këtyre lojërave janë përgjegjëse tri institucione: Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Sportit; Komuna e Prishtinës, si qyteti mikpritës; dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Sipas Fidan Shatrit, drejtor në Agjencinë e Sportit në Ministrinë e Sportit, ky aneks u nënshkrua nga komuna e Prishtinës, KOK-u, ICMG-ja, por jo edhe nga Ministria e Sportit.

Megjithatë, në letrën e saj, ICMG-ja i referohet pikërisht këtij aneksi si bazë për detyrimin financiar të këtij viti, i cili mbetet i pashlyer. Derisa ICMG-ja nuk tregoi sa është shuma e garancisë së papaguar bankare për janar dhe qershor 2026, Shatri tha se bëhet fjalë për rreth 2 milionë euro.

“Aneksi ka prodhuar ndikimin financiar. Në atë kohë, unë ua pata tërhequr vëmendjen atyre për shkak se, para nënshkrimit, duhet fillimisht të merret një vlerësim nga Ministria e Financave dhe Qeveria, sepse kemi të bëjmë ne ndikime financiare në kontratë. Fjala ime nuk u mor parasysh”, tha Shatri për REL. Qeveria ka ndarë 250 milionë euro për organizimin e lojërave përmes një ligji të miratuar tashmë nga Kuvendi.

Shatri tha se çështja e aneksit mund të zgjidhet, pasi Qeveria nuk i shmanget detyrimit financiar, por nuk pajtohet me mënyrën se si është nënshkruar aneksi. Ai shtoi se duhet të merret parasysh edhe periudha e bllokadës institucionale gjatë dy vjetëve të fundit, kur nuk kishte qeveri funksionale.

“Por duhet kohë sepse bëhet fjalë për disa miliona euro dhe janë procedura buxhetore që marrin kohë” tha Shatri për REL.

Komuna e Prishtinës, KOK-u dhe ICMG-ja nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment.

Përveç mosdorëzimit të garancisë bankare, ICMG-ja e kritikoi Kosovën edhe për shpërfillje takimesh dhe komunikimi.

Ajo tha se Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare, që përbëhet nga anëtarë të Qeverisë, KOK-ut dhe Komunës së Prishtinës, nuk i është përgjigjur letrës së saj në shtator.

Sipas Salihut, mospagesa dhe mungesa e komunikimit janë shenja serioze të një mekanizmi drejtues që nuk po funksionon.

“Garancia financiare nuk është formalitet: ajo është provë se zotimi politik mbështetet me siguri financiare. Në planin e rezultatit, ky do të ishte dështim i bashkërendimit institucional”, tha ai për REL.

Mospajtime mes pushtetit qendror dhe atij lokal rreth organizimit të këtyre lojërave pati edhe më herët, si në rastin e Fshatit Mesdhetar, një kompleks i domosdoshëm për akomodimin e rreth 5.000 atletëve nga rreth 26 vende pjesëmarrëse.

Qendra e Studentëve në Prishtinë

1/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
2/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
3/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
4/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
5/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
6/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
7/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
8/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
9/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
10/10
Qendra e Studentëve në Prishtinë që pritet të rinovohet dhe të shndërrohet në Fshatin Mesdhetar për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Shfaq më shumë Shfaq më pak
Previous slide
Next slide

Në fillim ishin përmendur dy projekte, pra: një nga Ministria dhe një nga Komuna e Prishtinës.

Tetorin e kaluar, Rama e paraqiti një projekt të cilin e quajti “fshati olimpik” duke treguar se ishin ndarë 60 hektarë tokë në Bernicë në periferi të kryeqytetit për ta akomoduar. Megjithatë, projekti nuk u pranua nga Qeveria.

Ndërkohë, Ministria e Sportit është duke punuar për ta përgatitur Fshatin Mesdhetar në qendër të kryeqytetit, në Qendrën e Studentëve.

Projekti përfshin konviktet, palestrën 1 Tetori, mensën e studentëve, qendrën e shërbimeve shëndetësore dhe ndërtesat tjera përcjellëse. Gjithashtu përfshihen edhe sallat e edukatës fizike të 12 shkollave të kryeqytetit.

Fushatë politike?

Rama gjithashtu e kritikoi Kurtin se kishte bërë përpjekje për t’i riemëruar Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”.

Rama, i cili njihet për kritikën e tij të hapur ndaj qeverisë dhe vetë kryeministrit Kurti, së fundmi shpalosi edhe ambicien për ta sfiduar atë në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

E pyetur nga REL-i, zyra e Kurtit për media nuk deshi t’iu përgjigjet komenteve të Ramës.

Salihu thotë se as Komuna nuk mund ta përdorë projektin vetëm për të akuzuar Qeverinë, as Qeveria nuk mund ta trajtojë bashkëpunimin me kryeqytetin si favor ndaj kryetarit të tij.

“Ambicia e një kryetari komune për t’u bërë kryeministër dhe kritika ndaj Qeverisë janë pjesë legjitime e konkurrencës dhe ambicies demokratike. Megjithatë, kur debati dominohet nga akuzat personale dhe gara për meritën, ndërsa vendimet për pronën, financimin dhe afatet mbeten të pazgjidhura, projekti rrezikon të funksionojë si platformë fushate”, thotë Salihu.

Shatri tha për REL-in se Rama po i përdor Lojërat Mesdhetare “për pikë politike”.

“Mendoj se asnjë politikan nuk mund t’i përdorë politikisht në favor të vetes Lojërave Mesdhetare, sepse këto lojërat do të zhvillohen në shumë komuna dhe jo në një të vetme”, thotë Shatri për REL.

Sa është punuar dhe çfarë nëse Kosova e humb të drejtën për organizimin e tyre?

Lojërat Mesdhetare janë ngjarje me sporte të llojllojshme që zhvillohen çdo katër vjet dhe cilësohen si më të rëndësishmet pas Lojërave Olimpike. Kosova do të jetë organizatore e tyre për herë të parë - nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 - në atë që do të ishte ngjarja më e madhe sportive e zhvilluar në vend deri më tani.

Për t’i kryer të gjitha punët organizative dhe infrastrukturore për të qenë e gatshëm t’i organizojë ato në vitin pasues, Kosova ka kohë deri në vitin 2029.

Shatri thotë për REL-in se një i ashtuquajtur masterplan është bërë dhe ai duhet të miratohet nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare dhe t’i dërgohet më pas ICMG-së. Masterplani parasheh si duket infrastruktura dhe ku zhvillohen ngjarjet sportive.

Punimet janë duke u zhvilluar në disa objekte sportive, si: Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili është olimpik dhe për përdorim të shumëfishtë. Megjithatë, nuk dihetse kur do të kryhen punimet në këtë stadium që pritet t'i ketë rreth 18 mijë ulëse.

Pamje pranë stadiumit "Adem Jashari", rindërtimi i të cilit u bë sagë në vend pasi ka dështuar të kryhet për më shumë se 10 vjet.
Pamje pranë stadiumit "Adem Jashari", rindërtimi i të cilit u bë sagë në vend pasi ka dështuar të kryhet për më shumë se 10 vjet.

Ndërsa, sa i përket Fshatit Mesdhetar, Shatri tha për REL se është miratuar kredia prej 42 milionë euro me Agjencinë Financiare të Zhvillimit Francez.

“Së shpejti do të shpallet tenderi për projektin për renovimin dhe ndërtimin e Qendrës së Studentëve, bashkë me palestrën 1 Tetori”, tha ai duke shtuar se pret që punimet të nisin “dikur në fillim të vitit 2027”.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është një nga qendrat kryesore multifunksionale, ku parashihet të zhvillohen sporte në ambient të mbyllur, në Lojërat Mesdhetare 2030. Shatri tha se Kosova është në bisedime me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe së shpejti do të nënshkruhet edhe kredia për rindërtimin e Pallatit të Rinisë.

Ndërsa, pishina e mbyllur olimpike në Podujevë për garat e notit në Lojërat Mesdhetare 2030 është duke u ndërtuar tashmë.

Pamje nga pishina gjysmolimpike në Podujevë.
Pamje nga pishina gjysmolimpike në Podujevë.

Megjithatë, ndër objektet mbase më të rëndësishme, ndërtimi i një stadiumi kombëtar nuk ka filluar.

Sipas Ministrisë së Sportit, as lokacioni për stadiumin ende nuk është vendosur. Një opsion për të mbetet Zona Industriale në Drenas, ndërsa edhe Bërnica përmendet si mundësi. Një stadium i tillë, më të paktën 25.000 ulëse, është i nevojshëm për ceremoninë zyrtare të hapjes dhe mbylljes së lojërave.

Derisa shumë gjëra mbesin pezull, shumëçka mund të merret vesh në dhjetor kur ICMG-ja mban mbledhjen e paralajmëruar.

Salihu thotë se nëse Kosova i humb të drejtat për organizimin e lojërave për shkak të detyrimeve të papërmbushura dhe përplasjeve ndërinstitucionale, do të ishte dëshmi se “institucionet janë më të afta të prodhojnë konflikte, akuza dhe gara për protagonizëm sesa të realizojnë një projekt me interes shtetëror”.

“Të fitosh një mundësi të tillë ndërkombëtare dhe pastaj ta rrezikosh nga paaftësia për t’u bashkërenduar është papërgjegjësi ndaj qytetarëve, sportistëve dhe besimit që i është dhënë vendit”, thotë Salihu.

Megjithatë, ai shton se përgjegjësia nuk mund të tretet në formulën “të gjithë kanë faj”, sepse “duhet të identifikohet kush nuk i përmbushi detyrimet, kush e bllokoi vendimmarrjen dhe kush e vendosi interesin politik mbi atë publik”.

  • 16x9 Image

    Ekrem Idrizi

    Redaktor i web-it dhe gazetar i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

​
XS
SM
MD
LG