Ndërlidhjet

Anëtarësimi në NATO pritet ta rimëkëmbë ekonominë e Maqedonisë së Veriut


Ushtarët e Maqedonisë së Veriut gjatë vendosjes së flamurit të NATO-s pranë ndërtesës së Qeverisë. 12 shkurt, 2019
Ushtarët e Maqedonisë së Veriut gjatë vendosjes së flamurit të NATO-s pranë ndërtesës së Qeverisë. 12 shkurt, 2019

Afaristët në Maqedoninë e Veriut, presin që pas anëtarësimit të vendit në NATO, të përmirësohet dukshëm klima e biznesit. Ata po ashtu besojnë se do të krijohet një siguri më e madhe juridike për për kapitalin gjatë ushtrimit të veprimtarive të ndryshme ekonomike, si dhe presin të krijohen kushte për një konkurrencë lojale.

Benefitet e para nga nënshkrimi i protokollit për pranim në NATO, fillimisht janë ndjerë në berzë.

Gjatë vitit të kaluar,sapo nisi rruga e zgjidhjes së kontestit të emrin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, me intensifikimin e bisedimeve për emrin, indeksi i berzës u rrit për 30 për qind.

Afaristët, megjithatë shtojnë se përfitimet qytetarët do të mund t’i ndjejnë pas një viti, por sektori i biznesit duhet të bashkëpunojë dhe të orientohet kah biznesi që ka të bëjë me industrinë e mbrojtjes.

“E dini se NATO, ekziston biznesi, atë që do ta quaja biznes i industrisë së mbrojtjes dhe nëse ne veprojmë me mençuri, të gjitha kompanitë që kryejnë shërbime për mbrojtjen, po edhe ata që prodhojnë prodhime ndihmëse për industrinë e mbrojtjes, mund të krijojnë lidhje të ngushta biznesi me kompanitë e huaja, prej ku mund të shënohet një përparim për ekonominë e përgjithshme të vendit”, thotë Mile Boshkoki, kryetar i Konfederatës së Afaristëve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, Ana Vellkova, autore e analizës për përfitimet e Maqedonisë së Veriut nga anëtarësimi në NATO, thotë se përfitimet janë në plan afatshkurtër, atë të mesëm dhe afatgjatë, dhe sipas saj, në këtë formë do të ndjehen edhe përfitimet që do t’i ketë shteti.

“NATO paraqet një nga faktorët kyç për zhvillimin e ekonomisë sepse paqja dhe stabiliteti janë parakusht për zhvillimin e bizneseve”, thotë Vellkova.

Megjithatë, ajo shton se për të pasur efekt anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO në përmirësimin e standardit jetësor, paralelisht duhet të angazhohet në realizimin e politikave kualitative në planin ekonomik, të ulet në masë të theksuar korrupsioni si dhe t’i jepet shtytje zhvillimit të sektorit privat, dhe mbi të gjitha, sipas saj, rëndësi ka sundimi i drejtësisë.

Ndërkaq, ligjëruesi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tetovës, Alaudin Zeqiri, thotë se anëtarësimi në NATO, para së gjithash paraqet garanci dhe nisur nga kjo, sipas tij, investitorët e huaj do t’i kthejnë sytë nga Maqedonia e Veriut për të investuar. Sipas tij, një gjë të tillë do ta bëjnë edhe investitorët vendorë.

“Edhe kompanitë e brendshme, atë shtrëngim që e kanë pasur nga mosstabiliteti politik, i cili ishte më se evident viteve të fundit në ekonominë e tregut, tani ndjehen paksa më të çliruar. Kjo është forma inkluzive e ekonomisë nacionale .Por, në këtë drejtim unë do të theksoja kushtet që krijohen për investimet e huaja direkte, si një faktor përcaktues të ekonomisë nacionale, do të kontribuojë në formë të dukshme në zhvillimin e ekonomisë së vendit”, thotë Zeqiri.

Pas anëtarësimit në NATO, në disa nga vendet e sapopranuara, statistikat tregojnë për një rritje të investimeve të huaja direkte dhe atë për 30 për qind.

Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Aleancës veri-atlantike me një rrogë mesatare e cila është në fund të listës së vendeve të rajonit, duke lënë prapa vetëm Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Përderisa, Bruto Prodhimi Vendorë arin vetëm në 6,300 dollarësh për kokë banori, që paraqet një nivel shumë të ulët sa i përket standardit jetësor, krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës.

XS
SM
MD
LG