Një avion ushtarak i Shteteve të Bashkuara, me tetë persona në bord, u rrëzua në oqean afër ishullit japonez të Jakushimës, thanë rojet bregdetare të Japonisë më 29 nëntor. Autoritetet kanë gjetur në ujë trupin e pajetë të një anëtari të ekuipazhit.
Në bordin e avionit, të llojit Osprey që u rrëzua në perëndim të Japonisë, ishin edhe pesë persona të tjerë.
Ende nuk dihet për fatin e pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit të avionit.
Avioni u rrëzua rreth orës 02:47, sipas kohës lokale. Banorët lokalë kanë raportuar se motori i majtë i avionit ishte përfshirë nga zjarri teksa u rrëzua në oqean.
Rojet bregdetare gjetën trupin e një personi në ujë dhe po ashtu panë mbetje të avionit, thanë autoritetet japoneze.
Copëzat e avionit u gjetën rreth 1 kilometër në brigjet lindore të Jakushimës.
Zëdhënësi i rojeve bregdetare të Japonisë, Kazuo Ogawa, tha se avioni ishte niur nga një bazë ajrore amerikane në Ivakuni dhe u rrëzua teksa po udhëtonte drejt bazës ajrore Kadena në Okinava.
Sipas zëvendësministrit të Mbrojtjes, Hiroyuki Miyazawa, avioni ka tentuar të bëjë një ulje emergjente në ujë.
Zyrtarët thanë se avioni i rrëzuar i përkiste bazës ajrore, Jokota, në perëndim të Tokjos. Forcat Ajrore amerikane thanë se ende po konformojnë informacionet dhe nuk u deklaruan më shumë për incidentin.
Rrëzimi i avionit amerikan vjen pasi një avion i po të njëjtit lloj ishte rrëzuar në veri të Australisë në gusht, duke vrarë tre anëtarë të ekuipazhit nga 23 sa ishin në bord.
Avioni Boeing MC-22B Osprey ishte rrëzuar në ishullin Melville, në Australi, gjatë një stërvitjeje ushtarake.
Po ashtu një avion Osprey ishte rrëzuar edhe në Japoni, në Okinava në dhjetor të vitit 2016.