Ndërlidhjet

Avokati i Popullit i Kosovës kërkon shpjegim për rastin e Dragica Gashiqit


Dragica Gashiq është pjesëtarja e parë e komunitetit serb që është kthyer në Gjakovë.
Dragica Gashiq është pjesëtarja e parë e komunitetit serb që është kthyer në Gjakovë.

“Kam një vit këtu, tani më është bërë njëjtë”, thotë Dragica Gashiq, pjesëtarja e parë nga komuniteti serb e kthyer në Gjakovë - qytet rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Ajo u kthye në vendlindjen e saj dy dekada pas zhvendosjes prej aty. Por, kthimi në një mjedis ku gjatë luftës së viteve 1998/99 u vranë më shumë se 1 mijë bashkëqytetarë të saj shqiptarë, u bë shkak për rezistencë dhe protesta, vitin e kaluar.

Sot, Gashiq thotë se beson se qytetarët e Gjakovës e kanë pranuar kthimin e saj dhe se nuk ka më probleme.

“Mbijetova në kohën më të keqe, kështu që do ta mbijetoj edhe këtë”, thotë ajo.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me të pasi Avokati i Popullit i Kosovës kërkoi nga autoritetet lokale që të sqarojnë se çfarë kanë ndërmarrë lidhur me kërkesën e Gashiqit për t’i lejuar asaj të rinovojë banesën.

“Në banesë rrjedh shiu, çatia ka nevojë për riparim dhe më pas të lyhet dhe të gëlqeroset. E tërë banesa, në përgjithësi, duhet të rinovohet”, thotë Gashiq dhe shton se me durim është duke pritur lejen nga komuna.

Çfarë kërkoi Avokati i Popullit?

Komuna e Gjakovës ka afat prej 30 ditësh për t’i kthyer përgjigje Zyrës së Avokatit të Popullit në pyetjen se çfarë hapash ka ndërmarrë për zbatimin e rekomandimit të saj, që të kthyerës Dragica Gashiq t’i lejohet “shfrytëzimi i lirë dhe i papenguar i banesës”, si dhe rinovimi i saj

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë Marija Radulloviq, zëvendëse e Avokatit të Popullit në Kosovë.

Megjithatë, ajo thekson se rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk janë obliguese, përkatësisht nuk kanë funksion ekzekutiv.

“Çdo institucion kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në rastin konkret Avokati i Popullit, jep rekomandime. Por, kur lëshohet një raport, në të cilin konstatohet shkelja e të drejtave të njeriut, institucioni i caktuar është i detyruar të informojë brenda 30 ditësh për masat konkrete që ka ndërmarrë. Ky është hapi i radhës”, thotë Radulloviq.

Dragica Gashiq u kthye në banesën e saj në fillim të qershorit të vitit 2021, pasi ajo i ishte liruar nga Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës. Që atëherë, Gashiq thotë se përpiqet të marrë leje për rinovim, por pa sukses.

Cili është qëndrimi i institucioneve vendore?

Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë përgjigje nga autoritetet lokale në Gjakovë lidhur me atë se a do ta lejojnë Gashiqin që të rinovojë banesën e saj, ashtu siç kërkoi edhe Zyra e Avokatit të Popullit.

Vitin e kaluar, Komuna e Gjakovës kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti që Gashiqit "t’ia anulojë marrëveshjen për qira të banesës", e cila ishte bërë mes saj dhe Kuvendit komunal të Gjakovës, më 1997.

Komuna e Gjakovës e kërkoi anulimin e marrëveshjes si "masë të përkohshme", përkatësisht deri në vendimin përfundimtar të institucioneve gjyqësore.

Megjithatë, gjykata e refuzoi këtë kërkesë të autoriteteve lokale me arsyetimin se ishte “e pabazë dhe e panevojshme” dhe Dragica Gashiqit iu lejua të qëndrojë në banesën e saj.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës Themelore në Gjakovë me pyetjen se deri ku ka arritur procedura në rastin e Dragica Gashiqit dhe të drejtave të saj pronësore, por, deri në publikimin e këtij teksti, nga ky institucion nuk kthyen përgjigje.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në deklaratat e mëparshme për mediat lokale në Kosovë, ka thënë se Gashiq e kishte regjistruar banesën si pronë të saj në vitin 1997, gjatë regjimit serb të Sllobodan Milosheviqit, dhe se ato ishin “kohë të kontestueshme”.

Pse ishte kontestuar kthimi?

Në fillim të qershorit të vitit të kaluar, 11 organizata joqeveritare nga territori i Komunës së Gjakovës shprehën pakënaqësinë e tyre për kthimin e Dragica Gashiqit - pjesëtare e komunitetit serb.

Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999, në Gjakovë u vranë më shumë se një mijë civilë shqiptarë, kryesisht burra. Disa prej tyre, janë ende të zhdukur.

Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut shprehën brengosjen e tyre lidhur me të drejtat për kthim të Dragica Gashiqit në Gjakovë. Sipas tyre, nuk u respektua fryma e Kushtetutës së Kosovës, konkretisht neni 156, i cili thotë se Kosova "do të promovojë dhe lehtësojë kthimin e sigurt dhe të dinjitetshëm të të zhvendosurve dhe personave të zhvendosur brenda vendit", dhe se "do t’i ndihmojë ata të rimarrin pronën dhe gjërat e tyre personale".

Gjithashtu, Zyra e Avokatit të Popullit, në raportin vjetor për vitin 2021, konstatoi se një numër i komuniteteve joshumicë nuk mund të disponojnë lirisht me pronën e tyre të paluajtshme.

“Është fakt se në vitet e fundit ka pasur përparim në zgjidhjen e çështjeve pronësore-juridike. Megjithatë, autoritetet duhet të sigurojnë që të gjithë personat të disponojnë pronën e tyre, në përputhje të plotë me ligjin, si dhe t'i gëzojnë të drejtat e tyre", thuhej në raport.

Dy dekada të procesit të kthimit

Procesi i kthimit të serbëve në Kosovë ka më shumë se 20 vjet që vazhdon, por më së shumti në zonat rurale dhe jo në qytete. Po ashtu, Kosova ende nuk ka arritur të zgjidhë çështjen e kthimit të plotë të shqiptarëve të zhvendosur nga veriu i vendit, ku jeton popullata shumicë serbe.

Sipas legjislacionit, të gjithë personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen në Kosovë dhe për këtë u ndihmojnë institucionet kompetente: Ministria për Komunitete dhe Kthim, drejtoritë komunale për komunitete dhe kthim, si dhe organizata të ndryshme.

Në vitin 2018, derisa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, Qeveria e Kosovës miratoi Dekretin për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhjet e përhershme, i cili i referohet krijimit të kushteve të nevojshme për kthimin e personave që u zhvendosën brenda Kosovës dhe në rajon, gjatë periudhës: 28 shkurti i vitit 1998 - 31 mars i vitit 2004.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG