Ndërlidhjet

Në Ohër takohen liderët e Ballkanit Perëndimor, pa Kosovën


Takimi i Vuçiqit, Zaevit dhe Ramës në Ohër.
Takimi i Vuçiqit, Zaevit dhe Ramës në Ohër.

Liderët e Ballkanit Perëndimor në Ohër të Maqedonisë së Veriut kanë diskutuar iniciativat për vendosjen e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal.

“Plani aksional parasheh që shërbimi kufitar të jetë funksional 24 orë brenda javës, mundësinë lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime për qytetarët e këtij rajoni. Mundëson lehtësira në transportin e mallrave, plani aksional mundëson njohjen e dokumenteve mes këtyre shteteve me qëllim e vetëm rritjen e efikasitetet gjatë lëvizjes së mallrave dhe njerëzve”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, duke lexuar deklaratën e miratuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se nisma nuk asnjë qëllim tjetër pos përfitimeve ekonomike dhe lëvizjes së lirë të njerëzve mes shteteve të rajonit.

“Kjo paraqet të ardhme për shtetet dhe popujt tanë. Këtu nuk ka asnjë Jugosllavi, por vetëm jetë më të mirë për qytetarët tanë, më normale, më kualitative, që më lehtë të lëvizim, ambient për jetë normale, e jo për konfrontime e urrejtje”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama në fjalimin e tij është ndalur kryesisht në mospjesëmarrjen e Kosovës e cila ishte ftuar në këtë takim.

Rama ka thënë se e ka të paqartë mospjesëmarrjen e Kosovës para se gjithash arsyetimin se nuk mund të jetë pjesë e takimeve me shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se Kosova në pesë e vjetët e fundit ka marrë pjesë në nisma të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, së bashku me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën edhe pse këto nuk e kanë njohur Kosovën.

Kreu i qeverisë shqiptare mospjesëmarrjen e Kosovës e ka quajtur “vetpërjashtuese” nga kjo nismë rajonale, e cila sipas Ramës, ka rëndësi të madhe për shkak të lehtësirave të shumta që ofron për katër liritë themelore të Bashkimit Evropian: liria e lëvizjes së njerëzve, liria e lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes së kapitaleve dhe liria e lëvizjes së shërbimeve.

“Nuk ka asgjë të re në këtë nisma nga ajo që jemi dakordësuar në të gjitha takimet e fundit, në të gjitha nismat, e që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa radhë të gjata, pa kontrolle, pa ryshfete... Nuk bëhet fjalë për asnjë union doganor. Unë jam përpjekur të bëjë një union doganor me Kosovën, që është refuzuar nga qeveria e ish-kryeministrit (v.j. Isa Mustafa) që sot flet për unionin doganor jugosllav. Kjo fare s’ka të bëjë me këtë. Këtu ka vetëm një të keqe që lehtësohen qytetarët dhe bien kauzat false”, ka deklaruar Rama.

Kryeministri shqiptar njoftoi se takimi i radhës së liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, ku do të jetë sërish e ftuar edhe Republika e Kosovës me të drejta të barabarta.

Por, takimi bojkotohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili kishte marrë ftesë për këtë takim. Në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi, ka bërë të ditur se ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim për shkak të siç ka thënë anashkalimit që i është bërë Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad më nismën e presidentit serb, Aleksandar Vuciq. Thaçi ka thënë se nuk mund të jetë pjesë e takimeve të këtilla rajonale për derisa Serbia dhe Bosnja nuk e njohin Kosovën.

“Vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Por, Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave, por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur”, ka shkruar Thaçi.

Krijimin e një "Mini-Shengeni" e ka kundërshtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, kjo çon në krijimin e një "Mini-Jugosllavie".

Në takimin e Ohrit kanë marrë pjesë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministrja malazeze e Ekonomisë, Dragica Sekuliq.

Por, përfaqësuesi i Bosnjës tha se vendi i tij ende nuk ka një vendim nëse do t’i bashkëngjitet ose jo nismës së Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë.

"Për ne nuk ka alternativë tjerë pos Bashkimit Evropian, dhe çdo shtet veçmas duhet të ketë prioritetet e tij por nuk duhet përjashtuar as nismat e tilla”, ka deklaruar kryetari i Këshillit ministror të Bosnjës, Zvizdiq.

Nisma për “Mini-Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, Palmer tha se kjo nismë “tregon vendosmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.

XS
SM
MD
LG