Ndërlidhjet

Presidenti Thaçi refuzon takimin e Ohrit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në Ohër të dielën mbahet takimi liderëve të Ballkanit Perëndimor, si vazhdimësi e takimit të Novi Sadit për krijimin e një “Mini-Shengeni” mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, por në këtë takim janë ftuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i këshillit të ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliq.

Në Ohër të shtunën në mbrëmje kanë arritur presidenti serb, Alekandar Vuciq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilët kanë zhvilluar një takim joformal me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga Qeveria maqedonase kanë thënë se për shkak të obligimeve do të mungojë presidenti kosovar, por në një postim në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi, ka bërë të ditur se ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim për shkak të siç ka thënë anashkalimit të parë nga ana e Serbisë.

“Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke theksuar se “Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave, por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur”.

Nisma për “Mini-Shengenin” ballkanik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, Palmer tha se bashkëpunimi i tre vendeve është i shkëlqyeshëm dhe “tregon vendosmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.

XS
SM
MD
LG