Ndërlidhjet

Banka Botërore ndalon financat për Afganistanin


Logoja e Bankës Botërore
Logoja e Bankës Botërore

Banka Botërore ndaloi financimin e projekteve në Afganistan, pasi talibanët morën kontrollin e këtij vendi.

Banka Botërore tha se është e shqetësuar se si do të ndikojë kontrolli i talibanëve në “perspektivat e zhvillimit të vendit, veçanërisht për gratë”.

Vendimi vjen vetëm disa ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar pezulloi gjithashtu pagesat për Afganistanin.

Që nga viti 2002, Banka Botërore ka ndarë mbi 5.3 miliardë dollarë për projektet e rindërtimit dhe zhvillimit në Afganistan.

“Ne kemi ndalur pagesat tona në Afganistan dhe jemi duke monitoruar dhe vlerësuar nga afër situatën, në përputhje me politikat dhe procedurat tona të brendshme”, tha një zëdhënës i Bankës Botërore për BBC-në.

“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët e zhvillimit”, shtoi ai.

Talibanët - grup militant islamik - kanë marrë kontrollin e Afganistanit më 15 gusht.

Grupi ka qeverisur këtë vend edhe në periudhën 1996-2001, me një interpretim të ashpër të ligjit islamik.

Javën e kaluar, edhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se ka ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit që mbahen në SHBA.

XS
SM
MD
LG