Ndërlidhjet

BE-ja thotë se është e gatshme për bashkëpunim me qeverinë e ardhshme të Serbisë

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, në Bruksel më 4 nëntor 2025.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, në Bruksel më 4 nëntor 2025.

Bashkimi Evropian (BE) vazhdon të jetë i gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e ardhshme të Serbisë, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, thanë në një deklaratë të përbashkët shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos.

Ato theksuan se janë “veçanërisht të gatshme për bashkëpunim në lidhje me kriteret demokratike, një gjyqësor të pavarur dhe të drejtat themelore, përfshirë lirinë e medias”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të mbajtura më 25 tetor, Lista Studentore i fitoi 52.54 për qind të votave, ndërsa Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, 39,29 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Fitorja e lëvizjes studentore i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit, i cili e pranoi humbjen qysh pas përfundimit të votimeve.

Kallas dhe Kos shtuan se “njohja e shpejtë e rezultateve zgjedhore nga pjesëmarrësit kryesorë në zgjedhje tregon përkushtim ndaj një procesi të qetë demokratik”.

“Konfirmimi zyrtar i rezultateve zgjedhore duhet të mundësojë një tranzicion të rregullt, si dhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë pa vonesa, në mënyrë që të mund të fillojë trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet Serbia”, thuhet në njoftim.

Ato nënvizuan se zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të drejta, në përputhje me standardet ndërkombëtare, “janë parakusht për funksionimin e institucioneve demokratike dhe të domosdoshme që Serbia t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

BE-ja është në dijeni për gjetjet dhe përfundimet paraprake të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (IEOM), të përbërë nga përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Parlamentit Evropian (PE), Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (OSCE PA).

“Në gjetjet e tij paraprake, IEOM-i vuri në dukje se përgatitjet për zgjedhjet u menaxhuan përgjithësisht në mënyrë efikase, si dhe vlerësoi pozitivisht të gjitha fazat e ditës së zgjedhjeve në shumicën dërrmuese të vendvotimeve”, thanë ato.

IEOM-i theksoi se “mjedisi zgjedhor u cenua nga përparësitë e konsoliduara që gëzon partia në pushtet, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe anshmërinë e theksuar të raportimit mediatik në favor të partisë në pushtet, si dhe frikësimin dhe presionin ndaj votuesve, kandidatëve dhe shoqërisë civile, krahas pengimit të aktiviteteve të fushatës. Incidentet e raportuara të dhunës fizike shkaktuan shqetësim serioz”.

Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) njoftoi gjatë natës së zgjedhjeve se deri në orën 20:00 kishte regjistruar më shumë se 300 raportime për parregullsi gjatë ditës së votimit.

Edhe organizata Crta njoftoi atë natë se kishte regjistruar një numër të madh parregullsish individuale.

Sipas Crta-s, fotografimi i fletëvotimeve ishte vërejtur në 48 për qind të vendvotimeve. Përqindja më e lartë ishte regjistruar në Beograd, ku kjo dukuri ishte vërejtur në 79 për qind të vendvotimeve, e pasuar nga Vojvodina, me 58 për qind.

Gjithashtu, u bë e ditur se në 30 për qind të vendvotimeve kishte pasur mangësi në përdorimin e dritës ultravjollcë (UV).

Votimi pa dokumente të vlefshme ishte vërejtur në tetë për qind të vendvotimeve.

Costa bisedon me Illija Sërdanoviqin

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e përgëzoi Illija Sërdanoviqin për fitoren e Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën.

“Sapo zhvillova një bisedë të mirë telefonike me Illija Sërdanoviqin. E përgëzova për fitoren zgjedhore të Listës Studentore”, shkroi Costa në platformën X.

Costa tha se përparësi tani është konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re pa vonesa, duke siguruar një tranzicion paqësor dhe respektim të plotë të rezultateve zgjedhore.

“Serbia e ka vendin në Bashkimin Evropian. Jemi të gatshëm ta mbështesim rrugën e saj evropiane, me fokus të qartë te reformat që ka kërkuar populli serb: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe liria e medias”, shtoi Costa.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore fitoi bindshëm, sipas rezultateve paraprake.

Kështu, mori fund sundimi 14-vjeçar i populistit Aleksandar Vuçiq dhe i Partisë së tij Progresive Serbe.

​
XS
SM
MD
LG