Ndërlidhjet

Njerëzit duke pritur për të votuar brenda një vendvotimi në Beograd më 25 tetor.
Njerëzit duke pritur për të votuar brenda një vendvotimi në Beograd më 25 tetor.

Drejtpërdrejt Zgjedhjet në Serbi: Dalje rekorde, parregullsi dhe incidente teksa bllokohet qendra e Beogradit

E përditësuar
  • Në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku po garojnë 2.418 kandidatëve për 250 vendet e Kuvendit.
  • Pjesëmarrja në zgjedhje është e lartë dhe para qendrave të votimit janë parë radhë të gjata.
  • Gjatë ditës janë raportuar për parregullsi zgjedhore dhe incidente të tjera.
  • Në zgjedhje po garon ish-presidenti Aleksandar Vuçiq me partinë e tij Lista Përparimtare Serbe. Rivalja kryesore e listës së Vuçiqit vlerësohet të jetë Lista Studentore.
  • Partitë shqiptare janë bashkuar në një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”.
19:27

Komisioni zgjedhor: Pjesëmarrja deri në orën 18:00 arrin në 64.89 për qind

Deri në orën 18:00, në zgjedhjet parlamentare në Serbi kanë votuar 64.89 për qind e votuesve, njoftoi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK). Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, pjesëmarrja deri në të njëjtën orë ishte 51.93 për qind.

Sipas rajoneve, pjesëmarrja ishte:

  • Beograd: 65.67 për qind
  • Vojvodinë: 66.90 për qind
  • Shumadi: 64.53 për qind
  • Serbia Jugore dhe Lindore: 62. 01 për qind

Drejtori i RIK-ut tha se votimi po zhvillohet “në rregull, me parregullsi të vogla”, të cilat, sipas tij, anëtarët e këshillave të vendvotimeve po i zgjidhin me sukses mes tyre.

Ai shtoi se vendvotimet do të mbeten të hapura edhe pas orës 20:00 nëse brenda ose pranë tyre ka votues që po presin radhën për të votuar në momentin e mbylljes zyrtare.

Ndërkohë, sipas Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), pjesëmarrja deri në orën 19:00 arriti në 67.6 për qind, krahasuar me 55.9 për qind në të njëjtën orë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023.

19:04

Prokuroria në Beograd bën thirrje për uljen e tensioneve dhe përmbajtje nga dhuna

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të ulin tensionet mes tyre dhe të përmbahen nga sjelljet e papërshtatshme dhe të dhunshme.

“Theksojmë se institucionet kompetente do të reagojnë në mënyrë adekuate, në përputhje me ligjin, ndaj çdo përpjekjeje për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe ndaj dhunës së çfarëdo lloji, para, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas tyre”, thuhet në komunikatë.

Aty thuhet po ashtu se prokuroria po e përcjell nga afër situatën në Beograd gjatë ditës së zgjedhjeve dhe po koordinon punën e prokurorive themelore publike dhe të policisë, me qëllim që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë paqësore, në një atmosferë demokratike dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë.

Prania policore është shtuar në Beograd.
Prania policore është shtuar në Beograd.
18:52

Shtohet numri i policëve pranë komisionit të zgjedhjeve dhe Presidencës serbe

Një numër më i madh pjesëtarësh të policisë ndodhen brenda zonës së rrethuar të rrugës pranë Komisionit Republikan të Zgjedhjeve dhe Presidencës së Serbisë, në qendër të Beogradit.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë vërejtur se në atë zonë janë lejuar të kalojnë disa furgonë dhe një automjet me pjesëtarë të Xhandarmërisë. Kjo pjesë e qytetit vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Policia brenda zonës së rrethuar të rrugës pranë Komisionit Republikan Zgjedhor dhe Presidencës së Serbisë.
Policia brenda zonës së rrethuar të rrugës pranë Komisionit Republikan Zgjedhor dhe Presidencës së Serbisë.
18:43

Çfarë është në lojë në zgjedhjet në Serbi?

Zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në Serbi shihen si një nga sfidat më të mëdha për pushtetin 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Përballë tyre është një lëvizje studentore, e cila u forcua përmes protestave masive kundër korrupsionit.

Protestat u nxitën nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit kërkuan përgjegjësi dhe i akuzuan autoritetet për korrupsion. Qeveria i hodhi poshtë akuzat, ndërsa procedurat gjyqësore për përcaktimin e përgjegjësisë ende nuk kanë përfunduar.

Studentët nuk kanë udhëheqës formalë. Lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica profesorë universitarë, ndërsa fushata e tyre është përqendruar te lufta kundër korrupsionit.

Mbështetës të listës zgjedhore “Lista Studentore – Studentët fitojnë” marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës në sheshin Slavija në Beograd, Serbi, më 22 tetor 2026.
Mbështetës të listës zgjedhore “Lista Studentore – Studentët fitojnë” marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës në sheshin Slavija në Beograd, Serbi, më 22 tetor 2026.

Në garë për 250 vende në Parlament janë gjithsej 18 lista, përfshirë dy koalicione opozitare me përfaqësim në legjislaturën e kaluar: një proevropian dhe një të krahut të djathtë, me qëndrime euroskeptike. Vuçiq, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit, synon të kthehet në postin e kryeministrit.

Çfarë qëndrimesh kanë për Kosovën dhe Rusinë?

Lëvizja studentore e ka lënë politikën e jashtme në plan të dytë, por ka përsëritur kundërshtimin ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në një dokument të publikuar në maj, studentët thanë se “ruajtja e Kosovës është emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve të tyre”. Ata kanë kundërshtuar edhe sanksionet ndaj Rusisë.

Vuçiq, ndërkohë, është zotuar ta vazhdojë kursin e deritanishëm të politikës së jashtme: lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin, krahas synimit të deklaruar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mbështetës mblidhen në tubimin zgjedhor “Aleksandar Vuçiq për kryeministër” në Beograd, Serbi, më 22 tetor 2026, tri ditë para zgjedhjeve të parakohshme në vend.
Mbështetës mblidhen në tubimin zgjedhor “Aleksandar Vuçiq për kryeministër” në Beograd, Serbi, më 22 tetor 2026, tri ditë para zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Procesi i integrimit të Serbisë në BE ka ngecur. Rënia e standardeve demokratike, marrëdhëniet e pazgjidhura me Kosovën dhe refuzimi për të vendosur sanksione ndaj Rusisë janë ndër pengesat kryesore.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG