Të nderuar lexues,
Këtu e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për sonte. Faleminderit që na ndoqët gjatë ditës së zgjedhjeve në Serbi.
Nesër do t’ju sjellim zhvillimet e fundit dhe analiza mbi rezultatet dhe hapat e ardhshëm.
Natën e mirë!
Spasojeviq: Një shans që Serbia të nisë shërimin si shoqëri
Profesori Dushan Spasojeviq e cilëson fitoren e Listës Studentore si një mundësi që Serbia të nisë shërimin si shoqëri dhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që e mbajnë atë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ndër sfidat kryesore të pushtetit të ri do të jetë menaxhimi i pritjeve, pasi sundimi i ligjit dhe ndryshimet e tjera nuk mund të arrihen brenda natës.
Lexoni më shumë këtu.
BE-ja uron Listën Studentore dhe shpreh gatishmërinë për të mbështetur reformat në Serbi
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uruan Listën Studentore për fitoren në zgjedhje, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve evropiane për të mbështetur përparimin e Serbisë drejt BE-së.
“Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për realizimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, thanë ata në një postim të përbashkët në X.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve shënon një fillim të ri në marrëdhëniet e Serbisë me Brukselin.
“Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dyert e BE-së janë të hapura dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, tha Kos në një deklaratë me shkrim, të shpërndarë për gazetarët nga kabineti i saj.
Duke uruar Listën Studentore, ajo tha se qytetarët e Serbisë e shprehën zërin e tyre duke marrë pjesë në zgjedhje në numër historik, pas pothuajse dy vjetësh protesta për demokraci, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit.
“Pikërisht këto janë vlerat që qëndrojnë në zemër të Bashkimit tonë Evropian”, tha Kos.
Qytetarët largojnë tendat dhe rrethojat e “Çacilendit”
Qytetarët kanë hyrë në Parkun e Pionierëve në Beograd dhe po largojnë tendat dhe rrethojat e kampit të njohur si “Çacilend”, raportoi gazetarja e Radios Evropa e Lirë.
Në këtë kamp, mbështetësit e pushtetit qëndruan për më shumë se një vit e gjysmë.