Kamberi dhe Sinani: Koalicioni Shqiptar siguron dy mandate, në garë për të tretin
Prijësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, dhe Ardita Sinani njoftuan se, sipas rezultateve preliminare, koalicioni ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe mbetet në garë për të tretin.
Në postimet e tyre në Facebook, të dy thanë se koalicioni ka marrë 27.230 vota, duke e cilësuar rezultatin si “arritje historike”.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, shkroi Kamberi.
Kamberi dhe Sinani falënderuan votuesit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, subjektet politike shqiptare për bashkimin, si dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.
Festime në qytetet e Serbisë për fitoren e Listës Studentore në zgjedhje
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka 40,42 për qind, sipas të dhënave të CRTA-s.
Lista “Ivica Daçiq – Faktor stabiliteti” ka marrë 2,20 për qind, ndërsa Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës 1 për qind. Koalicioni Shqiptar ka siguruar 0,90 për qind të votave.
Sipas CRTA-s, fletëvotimet e pavlefshme përbëjnë 1,55 për qind.
Këto janë vlerësime të CRTA-s bazuar në rezultatet nga një mostër vendvotimesh, jo rezultate përfundimtare zyrtare.
Reagimet e para nga jashtë pas fitores së Listës Studentore në Serbi
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, uroi Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet në Serbi dhe qytetarët e vendit për vullnetin e shprehur demokratik.
“Jam i bindur se ky rezultat zgjedhor do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Serbisë, të bazuar në miqësi, dialog të sinqertë dhe përkushtim ndaj së ardhmes sonë të përbashkët evropiane”, shkroi ai në X.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiq, tha se zgjedhjet në Serbi rikujtojnë se vullneti i qytetarëve dhe e drejta për të vendosur lirisht për të ardhmen e tyre janë themeli i çdo ndryshimi demokratik.
Duke uruar përfaqësuesit e Listës Studentore, ai shprehu besimin se marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbështeten në respekt dhe dialog të hapur, pa ngritje të panevojshme tensionesh.
“Qytetarët e të dyja shteteve meritojnë marrëdhënie që maten me rezultate konkrete të bashkëpunimit dhe jo me thellësinë e mosmarrëveshjeve diplomatike”, shkroi Spajiq.
Udhëheqësi i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Millorad Dodik, uroi Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Qytetarët e Serbisë dhe të gjithë aktorët politikë dëshmuan edhe një herë karakterin demokratik të njërit prej popujve me traditën më të vjetër shtetformuese në Evropë. Falënderoj veçanërisht Aleksandar Vuçiqin për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që ka treguar prej vitesh ndaj Republikës Sërpska”, tha Dodik.
Ai ishte sonte në shtabin e listës “Serbia e Bashkuar”, të udhëhequr nga Vuçiq.
Dodik, partia e të cilit është në pushtet në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, shtoi se “Republika Sërpska dhe Serbia vazhdojnë përpara së bashku”.
Ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Llagumxhija, uroi studentët dhe qytetarët e Serbisë, duke e cilësuar fitoren e Listës Studentore si “një ditë të shkëlqyer për një të ardhme të begatë të Serbisë dhe rajonit”.
“Urime studentëve dhe popullit të Serbisë. Trashëgimia e Zoran Gjingjiqit jeton. Shpresoj se do të ecim së bashku dhe do ta shfrytëzojmë mundësinë për një fillim të ri në rrugën tonë të përbashkët drejt së ardhmes euroatlantike”, tha Llagumxhija.
Reagoi edhe kryeministri i Hungarisë, Peter Magjar, i cili mori detyrën pas fitores së partisë së tij, Tisza, ndaj Viktor Orbanit në zgjedhjet e prillit.
“Në Serbi, Vuçiq ka pranuar humbjen. Lista Studentore ka fituar shumicën absolute në zgjedhje. Festimet kanë nisur në rrugët anembanë Serbisë”, shkroi Magjar në X.
“A ju duket e njohur?”, shtoi ai.
Partia Demokratike Evropiane (EDP) mirëpriti fitoren e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare, duke thënë se ky rezultat i jep Serbisë një mundësi të re në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Një fitore e jashtëzakonshme e demokracisë, lirisë dhe së ardhmes së Serbisë”, tha Sandro Gozi, eurodeputet nga grupi Renew Europe dhe sekretar i përgjithshëm i EDP-së.
“Ky rezultat i jashtëzakonshëm është fryt i përpjekjeve të një brezi të tërë të rinjsh, të cilët patën guximin, vendosmërinë dhe forcën për t’i bindur qytetarët e të gjitha moshave se ndryshimi nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i mundur”, shtoi ai.