Ndërlidhjet

BE-ja miraton pakon e pestë me sanksione kundër Moskës


Flamujt e Bashkimit Evropian.
Flamujt e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka miratuar pakon e pestë të sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës.

Në mesin e sanksioneve përfshihen ndalesa në importin e thëngjillit dhe mbylljen e porteve të bllokut evropian për anijet ruse.

“Bashkë me katër pakot tjera, këto sanksione do të shtojnë presionin ekonomik ndaj Kremlinit dhe do të vështirësojnë aftësinë për të financuar pushtimin e Ukrainës”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate më 8 prill.

“Këto masa janë më të gjera dhe më të ashpra, ashtu që të kenë ndikim edhe më shumë në ekonominë ruse. Ato janë krijuar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, është thënë mes tjerash në deklaratë, duke shtuar se janë duke u përgatitur sanksione shtesë ndaj Moskës.

Sanksionet e reja shënjestrojnë gjashtë sektorë: thëngjillin, transaksionet financiare, transportin, importin dhe eksportin në Rusi dhe përjashtimin e Rusisë nga kontratat publike dhe fondet evropiane.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë vënë sanksione të ashpra ndaj Rusisë, prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Synimi është që Moska të izolohet në aspektin ekonomik, financiar dhe diplomatik.

Këto sanksione janë përgjigje ndaj të dhënave për mizori të kryera nga trupat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 5 prill se trupat ushtarake ruse kanë kryer disa prej “krimeve më të rënda” prej Luftës së Dytë Botërore dhe i kanë bërë thirrje Këshillit që ta mbajë Rusinë përgjegjëse.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

XS
SM
MD
LG