Ndërlidhjet

Biden përkrah idenë e "dy shteteve për dy popuj" gjatë vizitës në Bregun Perëndimor


Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në Betlehem, në Bregun Perëndimor, 15 korrik 2022.

Gjatë vizitës së tij të premten në Bregun Perëndimor, presidenti amerikan Joe Biden, ritheksoi mbështetjen e tij të vazhdueshme për idenë e "dy shteteve për dy popuj", por pranoi se ende nuk janë krijuar kushtet për rinisjen e bisedimeve që synojnë arritjen e një paqeje shumë të kërkuar ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Komentet i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Betlehem me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ku ai bëri të ditur dhe ndarjen e 201 milionë dollarëve për një agjenci të Kombeve të Bashkuara që mbështet refugjatët palestinezë.

“Populli palestinez po vuan në këto momente”, tha Biden. “Kjo thjesht mund të ndihet. Hidhërimin dhe zhgënjimin tuaj... Në Shtetet e Bashkuara, ne mund ta ndiejmë atë.”

Biden tha se palestinezët “meritojnë një shtet të tyre që është i pavarur, sovran, i vazhdueshëm dhe i afërt. Dy shtete për dy popuj, të cilët kanë rrënjë të thella dhe të lashta në këtë tokë, duke jetuar krah për krah në paqe dhe siguri”.

Edhe pse një qëllim i tillë “mund të duket shumë i largët”, ai tha se nuk do të hiqte dorë nga procesi i paqes.

“Edhe nëse kushtet nuk janë të duhura në këtë moment për të rifilluar bisedimet, Shtetet e Bashkuara dhe administrata që unë drejtoj nuk do të heqin dorë nga afrimi i të dyja palëve", tha ai.

Abbas, në fjalën e tij, tha se "çelësi i paqes" në rajon "nis me përfundimin e pushtimit izraelit të tokës tonë". Ai tha se Izraeli "nuk mund të vazhdojë të veprojë si një shtet mbi ligjin" dhe tha se vrasësit e gazetares palestinezo-amerikane, Shireen Abu Akleh, "duhet të dalin para drejtësisë".

Gazetarja Abu Akleh u qëllua në maj të këtij viti gjatë një aksioni ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor dhe zyrtarët amerikanë thonë se ajo ka të ngjarë të jetë vrarë pa dashje nga trupat izraelite. Megjithatë, ata nuk thanë se si arritën në këtë përfundim dhe deklarata zemëroi shumë palestinezë, përfshirë familjen e saj, që e akuzojnë SHBA-në se po përpiqet ta ndihmojë Izraelin që t'i shmanget përgjegjësisë.

Vizita e Bidenit në Bregun Perëndimor u prit me skepticizëm dhe protesta nga ana e palestinezëve, të cilët besojnë se ai ka ndërmarrë shumë pak hapa drejt rinisjes së bisedimeve të paqes, veçanërisht pasi presidenti Donald Trump i anashkaloi ato duke favorizuar haptazi Izraelin.

Rundi i fundit i bisedimeve që synonin krijimin e një shteti të pavarur palestinez u ndal më shumë se një dekadë më parë, duke lënë miliona palestinezë të jetonin nën sundimin ushtarak izraelit.

Qeveria në largim e Izraelit ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar kushtet ekonomike në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gaza. Por, kryeministri i përkohshëm, Yair Lapid, nuk ka mandat për të zhvilluar negociata paqeje. Zgjedhjet e 1 nëntorit mund të sjellin gjithashtu në pushtet një qeveri të krahut të djathtë që është kundër krijimit të shtetit palestinez.

Ndërkohë, 86-vjeçari Abbas, Autoriteti Palestinez i të cilit administron pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe bashkëpunon me Izraelin mbi çështjet e sigurisë, është më tepër përfaqësues i status quo-së sesa i aspiratave palestineze.

Partia e tij, Fatah, humbi zgjedhjet dhe kontrollin e Gazës ndaj grupit militant islamik Hamas më shumë se 15 vjet më parë. Ai anuloi vitin e kaluar zgjedhjet e para kombëtare– duke fajësuar Izraelin – kur Fatah dukej se po shkonte drejt një humbjeje tjetër dërrmuese. Sondazhet gjatë vitit të kaluar kanë treguar vazhdimisht se gati 80 për qind e palestinezëve duan që ai të japë dorëheqjen.

Biden e pranoi më herët gjatë vizitës se një zgjidhje me dy shtete nuk do të ndodhë "në një afat të afërt". SHBA-ja, gjithashtu, duket se e ka pranuar dështimin për të rihapur një konsullatë të Jerusalemit që u shërben palestinezëve, e cila u mbyll kur Trump njohu qytetin e kontestuar si kryeqytet të Izraelit.

Synimi palestinez për një shtet të pavarur në Jerusalemin lindor, në Bregun Perëndimor dhe në Gaza – territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 – duket më i largët se kurrë.

Izraeli po zgjeron vendbanimet në Jerusalemin lindor dhe në Bregun Perëndimor, që tani janë shtëpi e rreth 700.000 kolonëve hebrenj. Palestinezët i shohin territoret e aneksuara, si pengesën kryesore për paqen, sepse ato përfshijnë territorin në të cilin do të krijohej një shtet palestinez. Shumica e vendeve të botës i konsideron vendbanimet të paligjshme.

Grupet e njohura të të drejtave të njeriut kanë arritur në përfundimin se kontrolli në dukje i përhershëm i Izraelit mbi miliona palestinezë përbën aparteid.

Izraeli e refuzon këtë etiketim dhe e konsideron si një sulm ndaj ekzistencës së tij, edhe pse dy ish-kryeministra izraelitë paralajmëruan vite më parë se vendi i tyre do të shihej i tillë nëse nuk arrinte një marrëveshje dy shtetesh me palestinezët.

XS
SM
MD
LG