Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Izraeli zotohen të ndalojnë Iranin që të marrë bombë bërthamore


Kryeministri izraelit Yair Lapid dhe Presidenti Isaac Herzog mirëpresin Presidentin e SHBA-së Joe Biden në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion pranë Tel Avivit më 13 korrik.
Kryeministri izraelit Yair Lapid dhe Presidenti Isaac Herzog mirëpresin Presidentin e SHBA-së Joe Biden në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion pranë Tel Avivit më 13 korrik.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se Shtetet e Bashkuara "nuk do të presin përgjithmonë" që Irani t'i bashkohet marrëveshjes bërthamore, një ditë pasi tha se do të ishte i gatshëm të përdorte forcën kundër Teheranit si mjetin e fundit, nëse do të ishte e nevojshme.

Në një konferencë shtypi me kryeministrin izraelit Yair Lapid pas bisedimeve me dyer të mbyllura rreth programit bërthamor të Iranit, Biden tha se SHBA-ja i kishte përgatitur udhëheqjes iraniane një rrugë për t'u rikthyer në marrëveshjen bërthamore dhe ishte ende duke pritur për një përgjigje.

“Kur do të vijë kjo, nuk jam i sigurt”, tha Biden. "Por ne nuk do të presim përgjithmonë."

"Ne nuk do të lejojmë Iranin të marrë armë bërthamore," tha Biden në një konferencë shtypi më 14 korrik pas nënshkrimit të përbashkët të Deklaratës së Jeruzalemit gjatë udhëtimit të parë të presidentit të SHBA-së në Lindjen e Mesme që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021.

Deklarata ripohoi gjithashtu mbështetjen e Uashingtonit për avantazhin ushtarak rajonal të Izraelit dhe aftësinë e tij "për të mbrojtur vetveten".

"Shtetet e Bashkuara theksojnë se një pjesë integrale e këtij zotimi është angazhimi për të mos lejuar kurrë që Irani të marrë një armë bërthamore dhe se jemi të përgatitur të përdorim të gjithë elementët e fuqisë kombëtare për të siguruar që kjo nuk do të ndodhë," shkruhet në deklaratë.

Lapid tha pas nënshkrimit se "e vetmja mënyrë për të ndaluar një Iran bërthamor është nëse Irani e di se bota e lirë do të përdorë forcën".

Biden ka thënë se dëshiron t'i kthejë Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015-të që Irani nënshkroi me fuqitë botërore ndërsa ai ishte zëvendës president nën administratën e Barack Obama.

Por Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018-të, duke thënë se Irani nuk po i përmbushte kushtet e marrëveshjes dhe se po financonte terrorizmin në Lindjen e Mesme, një pretendim që Teherani e ka mohuar.

Duke folur për një televizion izraelit, Biden tha se marrëveshja përfaqëson mundësinë më të mirë për të bllokuar përpjekjet e Iranit për të zhvilluar një bombë bërthamore.

"E vetmja gjë më e keqe se Irani që ekziston tani është një Iran me armë bërthamore dhe nëse mund t'i kthehemi marrëveshjes, mund t'i mbajmë ato nën kontroll," tha ai.

Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara mund të përdorin forcën nëse është e nevojshme, ai u përgjigj: "Nëse kodo të ishte zgjidhja e fundit, po".

Ata që e kundërshtojnë marrëveshjen kanë thënë se lehtësimi i sanksioneve do t'i sigurojë Teheranit para shtesë për të mbështetur forcat e tij përfaqësuese në Liban, Siri, Jemen dhe Irak.

Biden gjithashtu ka të ngjarë të përballet me kundërshtimin e vazhdueshëm nga Arabia Saudite kur të udhëtojë në vendin e Gjirit Persik më vonë gjatë javës. Arabia Saudite e udhëhequr nga myslimanët sunitë është gjithashtu një rival i ashpër i Iranit me shumicë shiite, ku të dy konkurrojnë për ndikim në rajon.

XS
SM
MD
LG