Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale, peng i bisedave të përgjuara të zyrtarëve


Ilustrim.
Ilustrim.

Përdorimi i bisedave të përgjuara telefonike si dëshmi në proceset gjyqësore dhe ato të ngritura pas 30 qershorit të vitit 2017, janë dallimet kryesore mes partive në pushtet dhe opozitë në Maqedoninë e Veriut, lidhur me propozim-ligjin e Prokurorisë Speciale, që po heton të gjitha shpërdorimet që dyshohen të jenë bërë nga pushteti i kaluar, e që kanë si bazë atë që njihet si ‘aferë e përgjimeve’.

VMRO-DPMNE-ja në opozitë kërkon që propozimi të mos parashohë përdorimin e përgjimeve si dëshmi kundër zyrtarëve të saj, por gjithashtu të anulohet edhe të gjitha akuzat e ngritura pas skadimit të afatit më 30 qershor 2017, dhe veç kësaj, opozita gjithashtu kërkon që ligji para se të miratohet të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias.

Nga Qeveria ndërkohë kanë hedhur poshtë kërkesat e opozitës, duke i vlerësuar si tentim për amnistimin e zyrtarëve të lartë të saj nga pushteti i kaluar, që po ndiqen për vepra të rënda penale.

“Amnistimi i kriminelëve, amnistimi i krimit, për ne është i papranueshëm. VMRO-DPMNE-ja nuk kërkon asgjë tjetër, përveç se shpëtimin e zyrtarëve të saj nga veprat penale për të cilat ndiqen, por kjo është e papranueshme. Në shtetin tonë do të ketë sundim të ligjit e shtet ligjor dhe nga kjo nuk do të ketë asnjë largim”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë në pushtet, Lidhjes Social-Demokrate, Kosta Kostadinov.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja kanë njoftuar nisjen e procedurës për hartimin e një ligji të ri, në përputhje me siç thonë se standardet ndërkombëtare, ndërsa do të përfshijë zgjedhjen e një prokurori të re, me propozim të opozitës.

Propozim-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë parasheh ligj për Prokurorinë Publike në kuadër të të cilit do të funksionojë Prokuroria Speciale. Njohësit e çështjeve juridike thonë se pushteti dhe opozita duhet sa më parë të arrijnë marrëveshjes apo të përfshijnë ekspertët në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

“Deputetët duhet ta kuptojnë se kjo nuk është çështje e marrëveshjes politike, por një domosdoshmëri jo vetëm për shkak të kërkesave të Bashkimit Evropian, por edhe si nevojë për forcimin e sistemit ligjor në vend. Nuk mund të kemi një shtet të fuqishëm, një sistem efikas të drejtësisë nëse vazhdimisht kemi përplasje mes partive për çështje që më së paku duhet të merren ata, siç është gjyqësori, një pushteti i ndarë dhe i pavarur nga pushtetet tjera”, thotë Vllado Kambovski, profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Ndryshimet në ligjin për Prokurorinë Publike, që përfshijnë edhe atë Speciale konsiderohen si të rëndësishme për procesin e integrimit, pasi në Raportin e Progresit qëndron nevoja për miratimin e një zgjidhjeje ligjore pa cenuar punën e Prokurorisë Speciale.

Ky institucion ishte formuar pas publikimit të aferës së përgjigjeve në shkurt të vitit 2015 dhe kishte për qëllim hetimin e përmbajtjes së tyre, ku ishin të përfshirë ish-zyrtarët më të lartë të Qeverisë së kaluar në krye me ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, që ka fituar azil politik në Hungari pas gjykimit me 2 vjet burg, në bazë të keqpërdorimeve të konstatuara nga afera e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG