Ndërlidhjet

Qeveria zotohet për shtyrjen e zbatimit të vendimeve, pas largimit të barrikadave


Disa minuta para mesnatës, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, nëse serbët lokalë në veri të Kosovës largojnë më 1 gusht barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë - Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 31 korrik, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera rrugët në veri, si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të datës 29 qershor.

Këto vendime parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje/dalje në Kosovë për ata persona që posedojnë dokumente serbe.

Këtë praktikë është duke e zbatuar Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës me vite të tëra.

Vendimi i dytë ka të bëjë për targat me akronime të qyteteve të Kosovës, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë.

Këto targa, Kosova i konsideron ilegale dhe deri më tani janë parë vetëm në veri të vendit.

Më 2011, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për lëvizje të lirë, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ua mundëson pronarëve të automjeteve me targa që lëshojnë autoritetet serbe, t’i riregjistrojnë makinat me targa RKS – Republika e Kosovës - brenda një periudhe të caktuar.

Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00

Mbyllja e dy pikave kufitare

Për shkak të barrikadave të vendosura në veri, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur dy pikëkalimet në veri - Jarinjë dhe Bërnjak.

Policia e Kosovës ka thënë se ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe disa prej tyre kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por nuk ka të plagosur.

Zbatimi i vendimit për hyrje/daljet

Në orët e para të 1 gushtit, në pikëkalimet tjera me Serbinë, ka nisur zbatimi i vendimit për lëshimin e dokumentit për hyrje/daljet në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë gjashtë pika kufitare: Bërnjakun, Jarinjën, Merdaren, Mutivodën, Dheun e Bardhë dhe Muçibabën.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky vendim për lëshimin e dokumentit të posaçëm, do të vazhdojë të zbatohet “derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave”.

Pas bllokimit të rrugëve në veri, qytetarët udhëtojnë nëpër rrugë alternative
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:21 0:00

Në rrugët e veriut, në mbrëmjen e së dielës, janë parë persona të maskuar të cilët kanë kërkuar nga udhëtarët e rëndomtë që të kthehen mbrapa, ndërsa kanë bërë përpjekje që gazetarëve t’ua pamundësojnë xhirimin në teren.

Gjatë së dielës në këtë rajon janë dëgjuar dy herë sirena për disa orë.

Ato rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.

Një protestues në Rudarë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tensionet në veri kanë qenë të pritura.

“Dihet se serbët janë mbledhur gjithmonë kur kanë dëgjuar sirenat, sepse kjo gjithmonë ka nënkuptuar përgjigje ndaj ndonjë rreziku. Ishte e papritur, por disi pritej. Jemi mbledhur në protestë kundër vendimeve të Qeverisë Kurti lidhur me letërnjoftimet dhe targat”, ka thënë ai.

Forcat e NATO-s të përgatitura të intervenojnë në Kosovë

Pas bllokimit të rrugëve në veri, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i përgatitur për të intervenuar nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.

Ky mision ka thënë se do të marrë çfarëdo mase që është e nevojshme për të mbajtur ambientin në Kosovë të sigurt në çdo kohë.

Forca shtesë të Policisë dhe KFOR-it te Ura e Ibrit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:48 0:00

Çfarë i parapriu vendimit të Qeverisë?

Shtyrje për 30 ditë të zbatimit të vendimeve të Qeverisë ka kërkuar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ai, megjithatë, pas një takimi që ka realizuar me zyrtarë të lartë shtetërorë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se “të gjitha vendimet e Qeverisë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Qeveria amerikane nuk ka pasur shqetësim për to".

“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet", ka deklaruar Hovenier.

Ambasadori ka thënë se për asnjë moment nuk ka kërkuar që vendimet të rishqyrtohen.

“Dua të përmend se jemi të shqetësuar që disa individë kanë vendosur të tregojnë pakënaqësitë për këto vendime duke krijuar barrikada apo duke kufizuar lirinë e lëvizjes. Ne nuk inkurajojmë diçka të tillë. Rruga e duhur është përmes dialogut civil”, ka thënë mes tjerash ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Lajçak mirëpret shtyrjen e zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës

Po të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe kryediplomati evropian, Josep Borrell.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se mirëpret vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e kryediplomatit të bllokut evropian, Josep Borrell për të shtyrë zbatimet e vendimeve të 29 qershorit për një muaj.

“BE-ja pret që të gjitha pengesat rrugore të hiqen menjëherë. Borrell ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për rrugën përpara. Falendërues ndaj Ambasadës amerikane në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Kurti fajëson Serbinë

Për barrikadat e vendosura të dielën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre iu paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot”, ka thënë Kurti në një postim në Facebook.

Sipas tij, Kosova po përballet me “nacional-shovinizmin serbomadh".

Vuçiq: I kemi lutur ta shtyjnë vendimin deri në një marrëveshje në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ndoshta lufta më e vështirë politike është përpara në javët dhe muajt e ardhshëm.

Megjithatë, Vuçiq ka falënderuar serbët në Kosovë për, siç ka thënë, vetëpërmbajtjen e tyre.

“Po punojmë për qetësim. Gjithçka që mundemi, si mundemi. Sado e vështirë të jetë, nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për televizionin serb TV Pink.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb ka falënderuar edhe kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane.

Ai ka falënderuar edhe Ministrinë e Jashtme të Rusisë për reagimin.

Në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se tensionet e larta janë pasojë e “rregullave të pabaza diskriminuese”, të imponuara nga autoritetet e Kosovës.

Petkoviq kritika drejt Kurtit

Petkoviq ka akuzuar Kurtin për krizën, duke thënë se ai “po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”.

Sipas Petkoviqit, Vuçiq ka bërë thirrje “për paqe, stabilitet dhe dialog”, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.

Reagimet në Kosovë mbi zhvillimet në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se masa e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet për hyrje-dalje, nuk është e drejtuar kundër askujt, “por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie”.

“Përpjekjet e Vuçiqit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë”.

Osmani ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se, partia që udhëheq ai, mbështet angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.

Sipas tij, reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.

“Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri. Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfarëdo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës, është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se “vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme”.

“Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë. Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit”.

Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga ato që ai i ka konsideruar politika destruktive të Serbisë “që kanë synim destabilizimin e vendit tonë”.

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se mbështet vendosjen e reciprocitetit për dokumentet identifikuese për qytetarët serbë që futen në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo masë është e drejtë dhe e ligjshme “edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare”.

“Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm. Bëjmë thirrje që qytetarët serbë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin”, ka thënë Haradinaj.

Vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Sipas vendimit të 29 qershorit, Qeveria e Kosovës pati thënë se më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Dokumenti që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës kur ata kalojnë në territorin serb.
Dokumenti që Serbia lëshon për qytetarët e Kosovës kur ata kalojnë në territorin serb.

Me këtë dokument do të pajiseshin edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Po ashtu, të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia.

Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë më 30 korrik se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga këto dy vendime, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Bllokadat për targat

Edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.

Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.

Atëbotë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse.

XS
SM
MD
LG