Ndërlidhjet

Mbretëria e Bashkuar nis së zbatuari sistemin e ri për imigrim


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Rregullat e reja për imigrim në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë “të thjeshta dhe fleksibile”, kanë premtuar ministrat e këtij shteti, teksa pritet të nisë së zbatuari sistemi i ri i bazuar në pikë.

Nga dita e martë, të gjithë shtetasit e huaj, përfshirë ata nga Bashkimi Evropian, që dëshirojnë të punojnë në Britani nga 1 janari, do të duhet të aplikojnë online për vizë.

Ata që duan të pajisen me vizë të punëtorit të kualifikuar, do të duhet të kenë ofertë për punë, të kenë njohuri të gjuhës angleze dhe të fitojnë të paktën 25,600 funta.

Lëvizja e lirë nga dhe drejt vendeve të bllokut evropian do të përfundojë më 31 dhjetor.

Qytetarët e BE-së që tashmë jetojnë në Britani deri më 31 dhjetor dhe familjet e tyre nuk do të duhen të kalojnë nëpër sistemin e ri, mirëpo duhet të aplikojnë në një skemë të veçantë dhe do të kenë kohë deri në 30 qershor të vitit të ardhshëm për ta bërë një gjë të tillë.

Nëse dalin të suksesshëm, ata do të mund të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të përfitojnë nga të njëjtat skema sikurse shtetasit britanikë, nëse mbesin pa punë.

Shtetasit irlandezë nuk do të duhet të aplikojnë për qëndrim aje, sepse Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda janë pjesë e Zonës së Përbashkët të Udhëtimit.

Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE-ja më 31 janar, mirëpo ka ndjekur rregullat e bllokut evropian përgjatë periudhës 11-mujore të tranzicionit, ndërkohë që të dyja palët synojnë të arrijnë marrëveshje për tregti.

Teksa bisedimet vazhdojnë në Londër, Mbretëria e Bashkuara është duke u përgatitur për t’u larguar nga tregu evropian dhe unioni i doganave në fund të këtij viti.

Qeveria ka njoftuar se është duke krijuar një Qendër Kufitare, e cila do të garantojë vëzhgimin e mallrave dhe pasagjerëve që shkojnë dhe dalin nga portet britanike.

Rriten përgatitjet për kontrolle kufitare

Një softuer i veçantë do të përdoret për të mbledhur informacion për mallrat dhe pasagjerët, me shpresë të minimizmit të tollovisë së përkohshme nëpër kufij pas 1 janarit.

Ministri i kabinetit britanik, Micheal Gove ka thënë se sistemi i ri, do të jetë aktiv vazhdimisht.

Grupet biznesore kanë thënë se vonesat nëpër kufij janë të pashmangshme, marrë parasysh ndryshimet në procedurat doganore, derisa laburistët kanë thënë se pyetje të rëndësishme kanë mbetur pa përgjigje, rreth asaj që duhet të bëjnë bizneset.

“Qeveria po ua vë barrën bizneseve për t’u përgatitur për fundin e periudhës tranzitore, ndonëse nuk ka sqaruar se për çfarë po bëhen gati këto biznese”, ka thënë ministrja britanike, Rachel Reeves.

Çfarë është duke ndryshuar për imigrim?

Sistemi i ri i imigrimit do të përcaktojë se kush mund të punojë në Britani nga 1 janari.

Aplikacionet online për viza do të hapen nga dita e martë.

Aplikacionet për viza të punëtorëve të kualifikuar do të gjykohen në bazë të sistemit të pikëve, që është zbatuar në Australi për shumë vjet.

Pikët do të krijohen varësisht nga oferta e punës, njohuritë e gjuhës angleze dhe nëse aplikantët arrijnë të fitojnë të paktën 25,600 funta.

Çmimi i aplikimit do të jenë në mes të 610 dhe 1,408 funtave dhe njerëzit duhet të tregojnë se kanë të holla të mjaftueshme për të mbështetur veten, si dhe të kenë dëshmi të identitetit.

Aplikuesit duhet të presin rreth tri javë për të kuptuar nëse kanë qenë të suksesshëm.

Rrugë e hapur për “talentët”

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel ka thënë se sistemi do të jetë “i thjeshtë, efikas dhe fleksibil”, dhe do t’iu mundësojë punëtorëve që të mbushin zbrazëtirat e kualifikimeve, duke vënë barrën mbi kompanitë që të trajnojnë dhe investojnë në punëtorët britanikë.

Patel dhe kritikë tjerë të lëvizjes së lirë kanë argumentuar se kompanitë britanike janë të varura nga punëtorët jo shumë të kualifikuar nga kontinenti dhe se aplikuesit nga vendet tjera të botës janë në disavantazh të madh.

Mirëpo sindikatat kanë paralajmëruar për krizë në ardhje rreth rekrutimit të stafit për kujdes shoqëror sipas rregullave të reja dhe thonë se duhet bërë më shumë për të mbështetur punëtorët e stafit shëndetësor që kanë lindur jashtë Britanisë dhe që po u skadojnë vizat.

Në mesin e mundësive të reja për aplikim do të jetë edhe ajo për “personat që kanë talent të jashtëzakonshëm apo premtojnë për një talent të tillë në fushat e inxhinierisë, shkencës, teknologjisë apo kulturës”.

Rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë kanë nisur së zbatuari në muajin tetor.

Të drejtat e më shumë se tre milionë banorëve britanikë, që tashmë punojnë në Mbretërinë e Bashkuara janë të garantuara sipas marrëveshjes për largim të Britanisë nga blloku evropian në fillim të këtij viti.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG