Gjykata Supreme e Kosovës ia ka ulur të enjten dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me 30 vjet burgim Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes së vet në vitin 2024, duke thënë se gjykatat e shkallës më të ulët nuk kishin shqiptuar dënim të drejtë në këtë rast.
Gjykata Themelore në Pejë në fund të vitit 2024 e kishte shpallur Lajqin fajtor për vrasje të rëndë dhe për armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Ky aktgjykim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit më vonë.
Lajqi e kishte vrarë bashkëshorten e vet Gjyljeta Ukella me armë zjarri në banesën e tyre në Pejë, dhe pas aktit, ishte vetëdorëzuar në polici. Ai e kishte pranuar fajësinë gjatë gjyqit.
Sipas aktakuzës, Lajqi kishte pasur probleme të vazhdueshme me bashkëshorten dhe se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj.
“Dënimi me 30 vjet burgim, proporcional me peshën e veprës penale”
Gjykata Supreme theksoi në vendimin e saj të enjten se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk e kishin zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
“Një pjesë e rrethanave të konsideruara si veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa prej tyre përbëjnë elemente të vetë veprës penale dhe, për këtë arsye, nuk mund të justifikojnë shqiptimin e dënimit më të rëndë, të paraparë me ligj”, thuhet në vendim.
Sipas Supremes, burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit.
Në rastin e Lajqit, thotë Supremja, nuk është plotësuar ky standard ligjor.
“Gjykata Supreme ka vlerësuar se dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe se me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm”, tha ajo.
Rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010 - në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin për planifikimin e vrasjes së bashkëshortes së vet Liridona Ademajt në vitin 2023.
Pse burgimi i përjetshëm vërtetohet rrallëherë?
Burgimi i përjetshëm është dënimi më i rëndë në sistemin penal të Kosovës. Që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal në vitin 2013, ai është shqiptuar në 13 raste.
Megjithatë, praktika tregon se rruga deri te një vendim përfundimtar është e gjatë dhe e pasigurt, sipas ekspertëve.
Sipas Flamur Kabashit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përdorimi i këtij dënimi është shtuar në vitet e fundit.
“Sipas monitorimeve tona, kohët e fundit kemi parë shtim të shqiptimeve me burgim të përjetshëm. Por, vendimet marrin formë të prerë vetëm kur konfirmohen nga shkalla e dytë”, Kabashi për Radion Evropa e Lirë në qershor.
Me gjithë këto zhvillime, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, vlerëson se burgimi i përjetshëm rrallëherë ka marrë formë përfundimtare.
“Sot për sot, vetëm një rast mund të konsiderohet i prerë - rasti i Dardan Krivaqës”, tha ai, duke shtuar se edhe ky rast mbetet juridikisht i hapur për sfidim.
Dardan Krivaqa është shpallur fajtor për vrasjen e Marigona Osmanit në vitin 2021, në të tria shkallët e sistemit gjyqësor.
Gjykata Supreme e ka konfirmuar vendimin, megjithatë, sipas praktikës procedurale, rasti ende mund të jetë objekt i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Ai thotë se gjatë procesit janë shkelur procedurat në ekspertizën ligjore dhe shton se, nëse Gjykata Supreme nuk e kthen rastin në rigjykim, mbrojtja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Kabashi, nga IKD-ja, sqaron se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë përbën një instancë të jashtëzakonshme, e cila mund të ndikojë në ndryshimin e vendimit përfundimtar nëse konstatohet shkelje ligjore.
“Të njëjtën instancë gjyqësore mund ta shfrytëzojnë edhe vëllezërit Vllasaliu”, thotë ai.
Në disa raste të tjera, dënimet me burgim të përjetshëm janë zbutur nga Gjykata e Apelit ose Gjykata Supreme, duke u zëvendësuar me dënime deri në 35 vjet burgim.
Nga 13 raste të regjistruara me burgim të përjetshëm, vetëm një ka përfunduar me lirimin e të akuzuarit.
Në prill të vitit 2023, Gjykata Supreme e shpalli të pafajshëm Naser Pajazitin, i cili fillimisht ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitit në vitin 2015.