Ndërlidhjet

Byrnes inkurajon Maqedonine e V. në luftimin e korrupsionit


Ambasadorja e re e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes
Ambasadorja e re e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes

Ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kate Byrnes, në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale te presidenti Stevo Pendarovski, ka theksuar se do të angazhohet për luftimin e korrupsionit përmes përforcimit të kapaciteteve të institucioneve të shtetit.

“Do të angazhohem në avancimin e stabilitetit përmes institucioneve të fuqishme dhe mbështetjen e përpjekjeve të Qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimit të sundimit të ligjit, promovimin e prosperitetit nëpërmjet ndihmës dhe partneritetit në sektorin privat dhe përforcimin e sigurisë përmes partneritetit në lëmin e mbrojtjes”, ka theksuar Byrnes.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare theksojnë se SHBA-ja paraqet boshtin kryesor që ka shtyrë dhe vazhdon t’i shtyjë para proceset për integrimin e Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike, si dhe proceset për reformimin e institucioneve të shtetit.

Nikolla Dujovski, analist politik, si kthesë vendimtare për vendin, e sheh njohjen e Maqedonisë së Veriut me emrin kushtues që në kohën e presidentit Xhorxh Bush i Riu, ndihmën e SHBA-së në menaxhimin e konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2001, si dhe ndihmën që ka dhënë ambasadori amerikan, Xhejs Bejli, në zgjidhjen e krizës politike pas shpërthimit të aferës së përgjimeve.

“Duhet theksuar rolin aktiv që kishte ambasadori paraprak i SHBA-së, Xhejs Bejli, në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoninë e veriut gjatë vitit 2015. Askush nuk duhet të vë në dyshim mbështetjen e fuqishme miqësore që merr Maqedonia e Veriut nga SHBA-ja".

"Pres që edhe ambasadorja e re amerikane të jetë aktive sikurse edhe ambasadori paraprak duke e intensifikuar marrëdhëniet bilaterale. Ja një sinjal për këtë është dhe fakti se më shpejt se sa ishin pritjet ka ecur procesi për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, thekson Dujovski.

Ndërkaq, Mersel Billalli thotë se mbështetja e SHBA-së do të jetë edhe më e rëndësishme tani pavarësisht se vendi tashmë për disa muaj duhet të jetë pjesë e strukturave të Aleancës Veri-Atlantike , veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me përforcimin e kapaciteteve të institucioneve të shtetit.

“Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, e cila procedurë është nga fundi dhe pak a shumë pas stabilizimit në aspektin e sigurisë së rajonit, mendoj se SHBA-ja do të shkojë në forcimin e marrëdhënieve në aspektin ekonomik, lidhjet ushtarake dhe më shumë segmente të tjera”.

“Tani vijon një fazë e re ku më nuk trajtohen çështjet e sigurisë , ekzistencës së shtetit, por çështjet e zhvillimit, afërsisë , integrimeve dhe definimit të politikave të përbashkëta dhe strategjive të përbashkëta mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut”, vlerëson Bilalli.

Ndryshe, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Byrnes, është një diplomate karriere, e cila ka qenë e angazhuar në detyrë si zëvendës-shefe e misionit amerikan në Athinë, ndërsa paraprakisht ishte përfaqësuese e përhershme e misionit amerikan të OSBE-së në Vjenë.

XS
SM
MD
LG