Ndërlidhjet

KQZ nuk i certifikon rezultatet në katër komuna të Kosovës


Rundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovës u mbajt më 17 tetor.
Rundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovës u mbajt më 17 tetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë certifikoi të premten rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve lokale në 34 komuna.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rezultatet nuk mund të certifikohen në katër komuna: Shtime, Ferizaj, Podujevë dhe Kllokot, për shkak të ankesave të ngritura.

Për këto ankesa, “presim vendimmarrjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ose të Gjykatës Supreme”, tha Radoniqi.

Të premten, Gjykata Supreme refuzoi për herë të dytë ankesën e kandidatit për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, dhe rrjedhimisht në këtë komunë nuk do të ketë proces të rivotimit.

KQZ-ja e certifikoi më pas rezultatin për Han të Elezit, ku në rundin e parë kryetar është zgjedhur Mehmet Ballazhi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.

Rezultatet u certifikuan edhe për komunat: Deçan, Gllogoc, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Klinë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Skënderaj, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Deçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.

Në bazë të rezultateve përfundimtare, që u shpallën një ditë më herët, 21 komuna do të garojnë në rundin e dytë, ndërsa në 17 komuna fituesi është vendosur në rundin e parë.

Rundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.

XS
SM
MD
LG