Ndërlidhjet

Çka fshihet pas tensionimit të raporteve Serbi – Maqedoni?!


Një person duke kaluar pranë Ambasadës së Serbisë në Shkup

Pas tensionimit të raporteve diplomatike mes Serbisë dhe Maqedonisë mund të fshihen shumë interesa nga rrafshi gjeopolitik, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Serbia ka tërhequr stafin e saj diplomatik nga Shkupi, duke mos e sqaruar saktë një veprim të tillë.

Ftohja e raporteve diplomatike, sipas njohësve të zhvillimeve politike, vjen në kohën kur Maqedonia po bën hapa drejt përshpejtimit të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Maqedonia nënshkroi marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ndërkohë që ka intensifikuar takimet me zyrtarët e lartë të Greqisë për të tejkaluar kontestin që ka rreth çështjes së emrit.

Blerim Reka, ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh dhe ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, tha për Radion Evropa e Lirë se zhvillmi i fundit diplomatik mes Serbisë dhe Maqedonisë dëshmon për agresivitetin e Beogradit ndaj politikës së re që po zhvillon Qeveria e Shkupit.

Reka tha se Serbia e ka konsideruar deri vonë Maqedoninë si koloni të saj dhe këtë më së miri e dëshmuan dhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, kur në mesin e protestuesve të dhunshëm u gjend dhe një pjesëtar i Ambasadës serbe.

Kthesa euroatlantike e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë dhe ndërprerja prej një dekade të varësisë serbo-ruse, i tregoi qartë Beogradit se më nuk mund të luajë rolin e metropolës-koloniale në Shkup”.

Mendoj se arsyeja kryesore është kthesa strategjike që bën Maqedonia në raport me integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kjo është si të themi, një alarm i kuq, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Moskën të cilat nuk mund të llogarisin më sikurse këto dhjetë vitet e fundit, në një Maqedoni e cila do t`ia bllokojë vetes anëtarësimin në NATO”, tha Reka. Me veprimet e veta, Maqedonia, sipas tij, këto dhjetë vitet e fundit kishte bllokuar jo vetëm vetveten, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimorë në NATO.

Nga ana tjetër Denko Malevski, ish- ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë thotë se në këtë tensionim raportesh sheh një luftë mes forcave më të mëdha për të shtrirë influencën gjeopolitike, veçanërisht për faktin se Maqedonia kufizohet me Serbinë e cila ka marrëdhënie të afërta me Moskën.

Afër kufirit tonë verior është dhe një qendër trajnuese ruse, ndërkohë që shumë shpejtë presim që NATO të shtrijë kufijtë e saj duke përcaktuar Maqedoninë si vijë e shtrirjes në Ballkanin Perëndimor”.

Gjithsesi se ekziston një rivalitet i tillë mes fuqive të mëdha dhe një gjë e tillë reflektohet edhe në raportet mes vendeve fqinje në Ballkan”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Denko Malevski.

Sipas tij, Serbia ndjehet e shqetësuar nga relaksimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë si dhe relacioneve gjithnjë më të mira që ndërton Maqedonia me Shqipërinë duke u shkëputur kështu nga influenca serbe.

Serbia dhe Greqia duan të dinë në çfarë përmasash do të shtrihet influenca bullgare në Maqedoni. Këtyre dy vendeve u konvenon një shtet i vogël i cili nuk do ta pengojë komunikimin mes tyre, mendoj Serbisë dhe Greqisë nuk u konvenon të marrë shtirje influenca bullgare ose ajo shqiptare”, thotë Malevski.

Ndërkaq, Blerim Reka duke komentuar qëndrimin e fundit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daqiç se Serbia mund të ndryshojë politikën e saj për emrin e Maqedonisë nëse voton për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, thotë se Beogradi këtë e shfrytëzon vetëm si pretekst artificial për të tensionuar raportet mes këtyre dy vendeve.

Maqedonia besoj si shtet serioz nuk mund t`i lejojë vetes që të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO sepse në atë rast do të votonte kundër vullnetit të 25 për qind të popullsisë së saj, të cilët janë shqiptarë”.

Po ashtu, Maqedonia nuk mund të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO edhe nga faktin tjetër se tri të katërtat e kufirit të saj si shtet, Maqedonia i ndan me shqiptarët”, tha Reka.

Ndryshe, edhe në reagimin e Qeverisë së Maqedonisë si përgjigje Beogradit pas tërheqjes së stafit të ambasadës së Serbisë në Maqedoni, theksohet se Maqedonia si shtet është e vendosur në ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, por edhe më vendet tjera të rajonit. Megjithëse në komunikatën e Qeverisë të publikuar në Facebook nga kryeministri Zoran Zaev, nuk komentohen akuzat e Beogradit, për siç thuhet, “veprimet e kundërzbulimit ndaj Serbisë” dhe se kush mund të jetë i implikuar në këtë çështje.

XS
SM
MD
LG