Ndërlidhjet

Aktivistët për të drejtat e njeriut në Bjellorusi, Ukrainë dhe Rusi fitojnë Nobelin për Paqe


Çmimi Nobel. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Çmimi Nobel. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur që Çmimin Nobel për Paqe ta ndajë për aktivistin e të drejtave të njeriut, Ales Bialiatski, nga Bjellorusia, organizatën ruse të të drejtave të njeriut, Memorial, si dhe organizatën ukrainase për të drejtat e njeriut, Qendra për Liritë Civile.

Fituesit u shpallën të premten në Oslo nga Berit Reiss-Andersen, kryetare e Komitetit Norvegjez të Nobelit.

Aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut, Ales Byalyatski, duke marrë çmimin Right Livelihood Award 2020, në Stokholm, më 3 dhjetor 2020.
Aktivisti bjellorus për të drejtat e njeriut, Ales Byalyatski, duke marrë çmimin Right Livelihood Award 2020, në Stokholm, më 3 dhjetor 2020.

Për Çmimin Nobel për Paqe këtë vit në garë ishin 343 kandidatë, duke përfshirë 251 individë dhe 92 organizata.

Vitin e kaluar Çmimi Nobel për Paqe iu nda gazetares filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktorit të gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov.

Çmimi Nobel për Paqe, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që "bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve".

Gjatë kësaj jave u ndanë Çmime Nobel në disa kategori.

Shkrimtares franceze, Annie Ernaux, iu nda të enjten Çmimi Nobel për Letërsi.

Më 5 tetor, Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë dy amerikanëve, Carolyn Bertozzi dhe Barry Sharpless, si dhe danezit, Morten Meldal, për krijimin e një forme më funksionale të kimisë.

Një ditë më herët, më 4 tetor, Çmimi Nobel për Fizikë u është ndarë tre shkencëtarëve: francezit Alain Aspect, amerikanit John Clauser dhe austriakut Anton Zeilinger, për zbulimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike.

Ndërsa më 3 tetor, shkencëtari suedez, Svante Paabo, fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi, për shkak të zbulimeve të lidhura me evolucionin njerëzor.

Çmimi Nobel për Ekonomi do të shpallet të hënën.

Çmimet kanë vlerën e 900.357 dollarëve amerikanë dhe do të shpërndahen më 10 dhjetor.

XS
SM
MD
LG