Ndërlidhjet

Chollet: Duhen vendime të vështira nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë


Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Fotografi nga arkivi.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhen të merren vendime të vështira dhe nga ta kërkohet kurajë, në mënyrë që, sipas tij, të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të shteteve të tyre.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Chollet tha se propozimi i Bashkimit Evropian për një marrëveshje eventuale është një propozim në drejtim “të mir”.

“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre", tha Chollet.

"Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Por, në tekstin e propozimit, nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Chollet së shpejti pritet të vizitojë Serbinë, por edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj vizite, ai tha se do të flasë me liderët për tensionet e fundit midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se është lajm i mirë që barrikadat në veri të Kosovës janë hequr, por theksoi se është e rëndësishme që të mos përsëriten kriza të tilla.

“Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqëndruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjelltë. Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik”, tha Chollet.

Për 20 ditë me radhë, në dhjetorin e vitit të kaluar, grupe të serbëve lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Dejan Pantiq, sipas autoriteteve, dyshohet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Por, vendimi i autoriteteve gjyqësore në Kosovë më 28 dhjetor për t’ia ndërruar Pantiqit masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak, hapi rrugë heqjes së barrikadave. Pas kësaj, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë deklaruan se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave ishin plotësuar.

Chollet në këtë intervistë për Zërin e Amerikës foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Asociacioni “është një prioritet për ne”.

“Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por, ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, ndërkaq Serbia insiston që ky asociacion të themelohet.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011. Negociatat mbështeten edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Procesi i dialogut është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Por, palët kanë dallime edhe sa i përket përfundimit të dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje eventuale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

*Intervistën e plotë të Derek Chollet, dhënë për Zërin e Amerikës, mund ta lexoni KËTU

XS
SM
MD
LG