Ndërlidhjet

Çështja e amnistisë në fokus të debatit për ndryshimet kushtetuese


Në Parlament për të tretën ditë vazhdon debati mes deputetëve që janë pjesë e pushtetit dhe partisë Maqedonase në opozitë VMRO DPMNE-së “pro” dhe “kundër” ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes së Prespës.

Në fokus të debatit ka qenë dhe amnistia e mundshme e deputetëve të VMRO DPMNE-së të cilët akuzohen për ngjarjet e dhunshme në Parlament më 27 prill të vitit të kaluar.

Deputetët e VMRO DPMNE-së edhe të mërkurën kanë kërkuar që sa më parë të realizohet një takim mes liderit të opozitës maqedonase Hristian Mickoski dhe kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev dhe të arrijnë ujdi për veprimet e mëtejme që procesi të shtyhet para dhe jo nga deputetët individualisht të kërkohet t'i mbështesin të njëjtat.

Në këtë drejtim, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se debati pas ofertës së kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev për falje dhe pajtim siç shprehet ka ndryshuar klimën acaruese mes deputetëve të pushtetit dhe atyre në opozitë.

“Kemi një zbutje në fjalorin e të dyja palëve. Kjo mund të çojë jo vetëm në sigurimin e numrit të nevojshëm për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por mund të hap rrugë për një pajtim më të gjerë me qëllim që i gjithë procesi të ecë më shpejtë me përkushtimin e të gjitha palëve".

"Ne kemi pasur rast kur të gjitha palët për një çështje kanë arritur paraprakisht pajtueshmëri atëherë i gjithë procesi është realizuar më shpejtë” thotë Musliu.

Njëherësh, njohësit e çështjeve politike thonë se drejtuesit e partive politike duhet shumë seriozisht t'i marrin porositë e qendrave vendimmarrëse dhe ndryshimet kushtetuese të kalojnë sa më parë në Parlament të cilat janë të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit të njohur si Marrëveshja e Prespës.

Këto komente vijnë pas kërkesës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell, drejtuar liderit partisë maqedonase në opozitë Hristian Mickoski, që çdo deputeti të partisë së tij, t`i mundësohet lirshëm dhe pa kërcënime të shprehin qëndrimin e tyre dhe të votojnë për ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për të zbatuar marrëveshjen për emrin me Greqinë marrëveshje kjo , që i hap rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Faktori ndërkombëtar bën presion në njërën anë, por do të thosha edhe presioni i opinionit publik është që zgjidhja të kërkohet në parlament, pra të shterren të gjitha mundësitë për të arritur ujdi pushteti dhe opozita rreth sigurimit të dy të tretave të votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese dhe jo të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike Petar Arsovski.

Ndryshe, kryetari i VMRO DPMNE-së Hristian Mickoski vazhdon ta quaj marrëveshjen e Prespës të vdekur, duke theksuar se ajo cenon interesat e shtetit.

XS
SM
MD
LG