Ndërlidhjet

SHBA, e dëshpëruar me VMRO DPMNE-në në Maqedoni


Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell.
Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të dëshpëruara nga qëndrimi i opozitës në Maqedoni për të kundërshtuar marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell, në një letër dërguar kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka kërkuar që t’i mundësohet çdo deputeti të partisë së tij që lirshëm dhe pa kërcënime të shprehin qëndrimin e tyre dhe të votojnë për ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për të zbatuar marrëveshjen për emrin, që i hap rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Nuk do t’ju befasojë fakti që ne kemi qenë të dëshpëruar nga qëndrimet e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së sa i përket referendumit dhe hapave në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. Qytetarët e Maqedonisë nga të gjitha komunitetet dhe partitë, duke përfshirë edhe tuajën, fuqimisht mbështesin anëtarësimin në NATO dhe në BE dhe kështu ka qenë që nga pavarësimi i vendit. Tani është në duart e Kuvendit që të ndërmarrë hapin e ardhshëm dhe vendimmarrës. Ju inkurajojmë që të krijoni hapësirë, publikisht dhe privatisht, për deputetët e koalicionit tuaj që ata të vendosin vetë se si do të votojnë mbi ndryshimet kushtetuese, të lirë nga kërcënimet me dhunë, ndëshkim dhe forma të tjera të detyrimit”, ka thënë diplomati i lartë amerikan duke konfirmuar qëndrimin amerikan mbi Marrëveshjen e Prespës.

Mitchell po ashtu ka thënë se marrëveshja e arritur është më e mira e mundshmja për dy vendet.

“Shtetet e Bashkuara fuqimisht besojnë që Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë është mundësi historike që Maqedonia të sigurojë një ardhmëri më të ndritshme dhe të kontribuojë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Përkundër pohimeve se ka mundur të arrihet ‘një marrëveshje më e mirë’, ne nuk besojmë që një gjë e tillë është e mundur. Kjo marrëveshje ka kërkuar kompromis nga të dy palët. Është një mundësi që me gjasë nuk do të vijë përsëri për vite të tëra, nëse jo edhe dekada”, ka deklaruarai.

Diplomati amerikan ka kërkuar nga lideri i opozitës në Maqedoni, Hristijan Mickovski por edhe nga liderët e tjerë që të lënë anash interesat partiake dhe të punojnë për të ardhmen e shtetit.

“Ky është moment me rëndësi historike për vendin tuaj, moment që kërkon udhëheqësi të guximshme dhe pjekuri. Si miq të vërtetë dhe mbështetës i Maqedonisë, ju inkurajojmë që të lëni anash interesat partiake dhe në çoni përpara interesat tona të përbashkëta strategjike dhe të siguroni një ardhmëri më të ndritshme për qytetarët tuaj në familjen e kombeve evropiane”, është thënë në në letrën e Mitchell dërguar kryetarit të VMRO DPMNE-së, Mickovski.

XS
SM
MD
LG