Ndërlidhjet

Përgjatë një dekade e gjysmë, nga viti 2001 deri më 2016, Maqedonia ka humbur 34 mijë hektarë pyje, përkatësisht 4.4 për qind nga hapësira e pyllëzuar në Maqedoni. Këto janë të dhënat nga “Global Forest Watch”, të përpunuara nga universiteti i Merilendit në SHBA që monitoron gjendjen e hapësirave të pyllëzuar në nivel global.

Ndërkohë, që autoritetet zyrtar njoftojnë se përmes aksionit “Dita e drurit” në Maqedoni, brenda një dekade përkatësisht nga viti 2001 deri më 2012, janë mbjellë mbi dhjetë hektarë me fidanë.

Ekspertët dhe organizatat joqeveritare thonë se këto të dhëna që ka prezantuar përmes hartave konkrete “Global Forest Watch” janë alarmante, sepse hapësirat e gjelbëruara çdo ditë e më shumë zhduken për disa arsye, si: moszbatimi i Ligjit për sanksionimin e atyre që dëmtojnë pyjet në çfarëdo formë, mungesa e përkujdesjes adekuat sa i përket fidanëve të porsambjellë derisa ata të përforcohen, dhe më e keqja theksojnë se është niveli i ulët i vetëdijes së qytetarëve që t’i denoncojnë të gjitha ata që i dëmtojnë hapësirat e gjelbra.

“Hartat globale të realizuara përmes satelitëve, tregojnë se gjendja në Maqedoni është e tmerrshme, do të thosha më shumë se alarmante, çdo ditë e më shumë zhduken hapësira të mëdha të drunjve qindvjeçarë”.

“E gjithë kjo ndodh për shkak të zjarreve apo prerjeve të paligjshme të drunjve. Më e keqja është se autoritetet zyrtare nuk tregojnë me saktësi së sa hapësira të pyllëzuara zhduken brenda vitit, të dhënat i marrim nga institucionet jashtë vendit“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Jane Dimevski, aktivist për mbrojtjen e ambientit.

Zjarri në hapësirat e pyllëzuara në Maqedoni (Foto nga arkivi)
Zjarri në hapësirat e pyllëzuara në Maqedoni (Foto nga arkivi)

Ai shton se rast eklatant se si zhduken drunjtë, është rajoni i Likovës përkatësisht zona malore përgjatë vijës kufitare Maqedoni - Kosovë.

Nga ana tjetër, autoritetet shtetërore, përkatësisht dikasteri i policisë njofton se në vazhdimësi ngrihen padi penale ndaj të gjithë atyre që në mënyrë të paligjshme presin drunjtë e pyjeve.

Nga organet përkatëse njoftojnë se me padi penale përballet dhe ish -kryetari i komunës së Demir Kapisë, si dhe disa persona të punësuar në Ndërmarrjen Publike “Pyjet e Maqedonisë” për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por, Bashkim Selmani, ish-gjykatës thotë se këto aktivitete të organeve të sigurisë nuk mjaftojnë vetëm me ngritjen e padive. Ai thekson rastet që vështirë marrin epilog gjyqësor.

“Sa i përket legjislacionit, pjesa që ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit hapësinor, është shumë në rregull. Por, gjendja faktike nuk përkon me atë që është ligjore, sepse organet përkatëse i mbyllin sytë kur grupe të caktuara veprojnë, përkatësisht në mënyrë joligjore presin drunjtë. Është krimi i organizuar institucional ai që nuk reagon në kohën e duhur, por përkundrazi gjen forma dhe metoda më të shkathëta për të humbur gjurmët e zhdukjes së drunjve, përkatësisht zhveshjes së pyjeve”, thotë Selmani.

Nërkaq, Ivan Blinkov nga Fakulteti i Pylltarisë në Shkup thotë se edhe zjarret i dëmtojnë shumë pyjet duke lënë pasoja afatgjata për vendbanimet në afërsi.

Bilkov konsideron se në këtë drejtim, organet kompetente duhet të veprojnë me të gjitha kapacitetet dhe jo siç ndodh në praktikë që zjarret në të shumtën e rasteve shuhen vetëm me forcat e banorëve lokalë.

“Pas shfaqjes së zjarreve, zhdukjes së drunjve, zhveshjes së maleve, nëse vazhdojnë të reshurat e shiut për një kohë, është e kuptueshme se ndodh erozion i fuqishëm me pasoja katastrofale për banorët lokalë. Shteti duhet të investojë në përforcimin e kapaciteteve për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve”, konsideron Blinkov.

Ndryshe, bazuar në të dhënat e Bashkimit Evropian të grumbulluara në bazë të fotografive satelitore, gjatë vitit 2010 Maqedonia ka disponuar me 498 hektarë hapësirë me pyje përkatësisht mbi 20 për qind e territorit të saj ka qenë e pyllëzuar, përderisa në bazë të po këtyre hartave satelitore, për vetëm 6 vjet janë shpyllëzuar 1.5 hektarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG