Ndërlidhjet

Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.
Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.

Çfarë tha mbrojtja e Thaçit dhe Veselit në deklaratat përmbyllëse në Hagë?

• Në Hagë u zhvillua dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Thaçit tha se nëse ai shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Mbrojtja e Veselit argumentoi se ndaj tij nuk ka "asnjë provë" dhe akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës bazohen "në thashetheme".

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

11:41 11.2.2026

Seanca nis pushimin e parë

Avokati Mishetiq do t'i vazhdojë deklaratat e veta pas një pushimi të shkurtër.

11:37 11.2.2026

Pretendimi për objektivin ushtarak

Avokati Mishetiq ka thënë mes tjerash se nuk qëndron as pretendimi i Prokurorisë se fakti që shumë zona të UÇK-së kanë krijuar ambiente ndalimi do të thotë që ka pasur një drejtim të arsyeshëm dhe një udhëzim prej Shtabit të Përgjithshëm.

“Ky argument nuk qëndron për dy arsye. Së pari, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka shpjeguar që ndalimi nga grupe shtetërore ose jo shtetërore, siç ishte UCK-ja, është realitet në çdo konflikt, është një pjesë që pritet në gjendje lufte. Kjo është norma, nuk është përjashtimi. Kryqi i Kuq deklaron se e Drejta Humanitare Ndërkombëtare mbështet në prezumimin që të gjitha palët bëjnë ndalime. Do të kishte qenë e pazakonshme nëse komandantët e zonave nuk do t’i krijonin qendrat e tyre të ndalimit. Atyre nuk u nevojitej ta merrnin idenë nga Shtabi i Përgjithshëm për ta bërë këtë”.

11:19 11.2.2026

“Ka kontradikta themelore në deklaratat e Prokurorisë”

Avokati i Thaçit, Mishetiq, vazhdon t'i hedhë poshtë pretendimet e Prokurorisë.

“Nga njëra anë Prokuroria thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur një sistem tërësisht funksionues të komandimit nga Shtabi i Përgjithshëm deri te zonat, mundësinë për të komunikuar mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave, mundësinë për të lëshuar urdhra detyruese nga Shtabi i Përgjithshëm për anëtarët e zonave, si dhe mundësinë për të ushtruar disiplinë, për t’i dënuar nivelet më të ulëta në rast të moszbatimit të urdhrave”.

Por, sipas Mishetiqit, pavarësisht këtyre pretendimeve, vetë Prokuroria më pas ka thënë se mënyra themelore përmes së cilit kanë komunikuar anëtarët e ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale" (NPK), e kanë komunikuar politikën e tyre kundër kundërshtarëve, ka qenë përmes komunikatave, deklaratave politike dhe deklaratave tjera, të cilat ushtarët i pranonin përmes mediave publike.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk shpjegon se pse anëtarë të NPK-së nuk kanë lëshuar urdhra të cilët etiketonin të ashtuquajturit oponentë. Ne parashtrojmë se çështja e ZPS-së nuk është konsistente dhe në fakt nuk ka pasur as komandë dhe kontroll dhe as prova të besueshme që zonat i kanë interpretuar komunikatat si politikë për të kryer krime kundër personave të perceptuar që pengonin anëtarët e NPK-së që të kishin kontroll të plotë mbi Kosovën”.

10:56 11.2.2026

"Thaçi nuk ka qenë në Kosovë një periudhë të gjatë"

Përgjatë fjalës së tij, avokati Mishetiq ka thënë se Thaçi nuk ka qenë në Kosovë në një pjesë të madhe të kohës që përmendet në aktakuzë dhe që nuk ka prova se ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.

“Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG