Dixon: Veseli ishte anëtar i përkushtuar i UÇK-së dhe ky nuk është krim
Avokati Dixon tha se Veseli ishte student kur iu bashkua UÇK-së dhe ishte anëtar i përkushtuar i saj. Sipas tij, ai luftoi për “lirinë e Kosovës dhe për të pasur një të ardhme pa ndarje pa brutalitet. Por, ky nuk është krim”.
Sipas tij, ZPS nuk ka asnjë provë kundër Veselit dhe asnjë dëshmitar nuk e ka përmendur atë, madje nuk e kanë njohur Veselin.
“Provat tregojnë se ai ka punuar në UÇK që të parandalonte civilët e Kosovës të ndëshkoheshin, të shënjestroheshin. Këtë e ka bërë me komunitetin diplomatik, në fushën e zbulimit”, tha Dixon.
Ai po ashtu argumentoi se për periudha të gjata, që mbulohen në aktakuzë, Veseli nuk gjendej në Kosovë.
“ZPS-ja mund të argumentojë deri sa të vie fundi i botës nëse dëshiron se kanë prova kundër Veselit, por kjo nuk ndryshon që ju të nderuar gjykatës mund ta shihni tani që në fakt është një çështje e dobët kundër tij. Madje, është pikërisht mosekzistenca e provave. ZPS-ja ndjek të kotën”, tha Dixon.
Mbrojtja e Veselit fillon fjalën përmbyllëse: Nuk ka asnjë provë kundër tij
Pasi mbrojtja e Thaçit, fjalën përmbyllëse e nisi mbrojtja e ish-kryeparlamenarit Kadri Veseli.
Avokati i tij, Rodney Dixon, tha se çështja kundër Veselit është “si përpjekje për të gjetur njëbrirëshin”.
“Çështja e Prokurorisë kundër Veselit mund të përshkruhet si një përpjekje për të gjetur njëbrirëshin. Për më shumë se pesë vjet që kur u ngrit aktakuza, e madje edhe më parë, që në 2015 ku u krijuan Dhomat e Specializuara dhe filluan hetimet, ZPS-ja ka gjurmuar diçka që nuk ekziston, janë munduar që të gjejnë prova për përfshirjen e Kadri Veselit në veprimtari penale”, tha ai.
Sipas tij, rasti ndaj Veselit është unik “sepse nuk ka asnjë provë e jo më të këtë bërë ndonjë vepër penale”.
Mishetiq: ZPS kërkoi burgim të përjetshëm për Thaçin
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq,në fund të deklaratave përmbyllëse, tha se kërkesa e ZPS-së që ai dhe tre të akuzuarit e tjerë të dënohen me nga 45 vjet burgim, në mënyrë efektive nënkupton “burgim të përjetshëm”.
“Ky është një parashtrim i pabesueshëm nga një zyrë që e di që Dhomat dhe ZPS nuk do të ekzistonin po të mos ishte për të akuzuarin. Ky është një parashtrim i pabesueshëm”, tha Mishetiq.
Ai tha se kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim, që në total nënkupton 180 vjet burgim për katër të akuzuarit, “nuk bazohet në praktikat e kaluara as në realitetin e kësaj çështjeje”.
“ZPS nuk ka vërtetuar akuzat kundër Thaçit dhe ai duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet dhe të kthehet pranë familjes së tij dhe në vendin e tij. Është e çuditshme që të bëjmë parashtrime për dënimin dhe mbrojtja mban qëndrimin e saj se rezultati i vetëm është lirimi dhe shpallja e pafajshëm i Thaçit”, tha Mishetiq.
Mishetiq: ZPS nuk ka vërtetuar se si Thaçi ka kontribuar në “qëllimin e përbashkët kriminal”
Kryembrojtësi i Thaçit, Lluka Mishetiq, ka marrë fjalën sërish duke prekur aspekte të ndryshme të rastit kundër klientit të tij.
Duke folur për përgjegjësinë penale ndaj Thaçit, përkatësisht të asaj që Prokuroria e cilëson si Ndërmarrje e Përbashkët kriminale, Mishetiq tha se “qëllimi kriminal i përbashkët nuk ka ekzistuar nuk ka pasur kurrë një plan kriminal për të nënshtruar kontroll në gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve që paraqiten në aktakuzë”.
“ZPS pretendon se të akuzuarit kanë dhënë kontribut për këtë plan. Por, qëndrimi i kësaj gjykate është që në mënyrë që të kemi përgjegjësi për NPK, ZPS duhet të vërtetojë se Thaçi ka kontribuar në kryerjen e krimeve që paraqiten në aktakuzë”, tha Mishetiq.
Sipas tij, ZPS nuk i është përgjigjur pyetjes kyç dhe nuk e ka vërtetuar se si Thaçi ka dhënë kontribut në veprat për të cilat akuzohet, ku përfshihen vrasje, ndalime të paligjshme etj, duke argumentuar se gjendej jashtë vendit shumicën e periudhës që mbulohet në aktakuzë”.