Ndërlidhjet

Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.
Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.

Çfarë tha mbrojtja e Thaçit dhe Veselit në deklaratat përmbyllëse në Hagë?

E përditësuar

• Në Hagë u zhvillua dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Thaçit tha se nëse ai shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Mbrojtja e Veselit argumentoi se ndaj tij nuk ka "asnjë provë" dhe akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës bazohen "në thashetheme".

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

10:05

Mishetiq u rikujton gjykatësve çfarë thanë dëshmitarët

Mishetiq po përmend tani çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të Thaçit.

“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.

Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.


10:20

Kritika për Prokurorinë

Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.

10:36

"Padrejtësi ligjore dhe historike"

Përgjatë fjalës së vet, avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se shpallja fajtor e klientit të tij do të përbënte "padrejtësi ligjore dhe historike".

“Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”.

10:42

"Nuk ka prova se ka ekzistuar ndërmarrje e përbashkët kriminale"

Tani avokati i Thaçit është fokusuar te pika e akuzës së Prokurorisë (ZPS) se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës.

Mishetiq u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë.

“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Mishetiq.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG