Ndërlidhjet

Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.
Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.

Çfarë tha mbrojtja e Thaçit dhe Veselit në deklaratat përmbyllëse në Hagë?

• Në Hagë u zhvillua dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Thaçit tha se nëse ai shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Mbrojtja e Veselit argumentoi se ndaj tij nuk ka "asnjë provë" dhe akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës bazohen "në thashetheme".

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:16 11.2.2026

Rinis seanca

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca ku mbrojtja e Thaçit po mban fjalën përmbyllëse.

15:34 11.2.2026

Tavakoli flet për thirrjet e Thaçit për tolerancë në verën e vitit 1999

Pas pushimit, avokatja Nina Tavakoli foli kundër pretendimeve të Prokurorisë se Thaçi ishte në dijeni dhe nuk kishte vepruar për të ndëshkuar apo parandaluar krimet e kryera në verën e vitit 1999.

Tavakoli tha se përgjegjës për ndjekjen e këtyre krimeve atëbotë ishte UNMIK-u dhe Thaçi krejt çfarë mund të bënte, si kryeministër i Qeverisë së përkohshme, ishte të fliste për to dhe ai ka folur.

Tavakoli tha se Thaçi ka bërë thirrje për tolerancë, ka kërkuar që serbët të mos largohen nga Kosova dhe kjo e ka ekspozuar, pretendoi ajo, ndaj rreziqeve personale dhe politike.

Ajo tha se ZPS-ja është bazuar kryesisht në një dëshmitar ndërkombëtar, që sipas Tavakolit, ishte i ri në mision ndërkombëtar dhe nuk e kuptonte pse pavarësisht deklaratave, dhuna nuk ndaloi. Ai doli në përfundimin që Thaçi e ka orkestruar këtë dhunë”.

“Ne mendojmë se pse vazhdojë dhuna në verën e 99-tës, pavarësisht thirrjeve për tolerancë nga Thaçi, ishte pikërisht se Thaçi nuk e kishte pushtetin ndaj këtyre kryesve”, tha Tavakoli.

Nina Tavakoli gjatë seancës së 11 shkurtit në Hagë.
Nina Tavakoli gjatë seancës së 11 shkurtit në Hagë.

15:47 11.2.2026

Prosper kritikon Prokurorinë lidhur me dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes

Pas Tavakolit, fjalën e mori mbrojtësi tjetër i Thaçit, Pierre-Richard Prosper. Ai kritikoi ZPS-në për mënyrën se si i ka trajtuar dëshmitë e shtatë dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes.

Prokuroria, tha ai, pretendoi se shtatë dëshmitarët nuk kishin njohuri të thella për UÇK-në, nuk kishin lexuar rregulloret e as komunikatat e saj dhe nuk ia njihnin strukturën.

“Këto komente tregojnë arrogancë, mungesë respekti që ka qenë e pranishme qysh në fillim të këtij procesi”, tha Prosper.

“Duhet të kujtojmë rëndësinë e dëshmitarëve. Duhet të respektoni rolin që kanë pasur, shtetet që përfaqësojnë”, shtoi Prosper, duke theksuar se ata nuk dolën para gjykatores si persona privatë, por në kohën e luftës kishin pasur role të rëndësishme dhe përfaqësonin SHBA-në, NATO-n e OKB-në.

Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes ë Thaçit që u paraqitën në Hagë ishin kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë. Aty u përfshin ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, dhe diplomati amerikan në pension, Christopher Hill.

16:07 11.2.2026

Prosper: Dëshmitarët ndërkombëtarë treguan se UÇK-ja s’ishte komandë efektive

Prosper foli për secilin nga dëshmitarët ndërkombëtarë duke treguar rolin e tyre dhe peshën që kishin. Ai trajtoi edhe një deklaratë të bërë nga Prokuroria, që tha se Thaçi kishte gënjyer James Rubinin dhe Wesley Clarkun.

“Në thelb ai tha se ndërkombëtarët Rubin, Clark, u mashtruan prej një 29-vjeçari siç ishte Thaçi. Vërtetë e besoni këtë? Ky person u hodhi hi syve këtyre personave kaq të nderuar. Sigurisht që jo”, tha Prosper.

Sipas tij, dëshmitarët “erdhën dhe thanë se nuk ka pasur komandë dhe kontroll efektive të UÇK-së, strukturë politike, Thaçi nuk ishte përgjegjës dhe konflikti i armatosur përfundoi në qershor 1999. ZPS nuk do që ju të fokusoheni këtu, madje nuk i thirrën këta dëshmitarë që përmenden në të gjitha provat. Por, ZPS-ja vjen këtu sot dhe merret me prova shkresore, përpiqet të shtrembërojë faktet".

Prosper tha se dëshmitarët thanë se Thaçi nuk është fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG