Ndërlidhjet

Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.
Pamje nga seanca e 11 shkurtit në Hagë.

Çfarë tha mbrojtja e Thaçit dhe Veselit në deklaratat përmbyllëse në Hagë?

• Në Hagë u zhvillua dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Thaçit tha se nëse ai shpallet fajtor, do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike", ndërkaq kërkesën e Prokurorisë që të katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Mbrojtja e Veselit argumentoi se ndaj tij nuk ka "asnjë provë" dhe akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës bazohen "në thashetheme".

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

17:17 11.2.2026

Mbrojtësi i Veselit: Kemi ngelur në duart e thashethemeve

Mbrojtësi i Veselit po vazhdon fjalën përfundimtare, duke insistuar se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në krime, por theksoi se “kemi ngelur në duart e thashethemeve”.

Ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.

“Pretendimet e drejtpërdrejta [për përfshirje në krime të Veselit] janë bazuar tërësisht në prova dytësore, shpesh dhe janë hequr. ZPS nuk ka gjetur asnjë dëshmitar që të vijnë në gjykatë dhe të thotë se Veseli ka kryer krime. S’mund ta bënin sepse nuk ekziston”, tha ai.

Dixon se tha në periudhën e luftës askush nuk e njihte Veselin, por kur ai u bë i njohur pas luftës, në aspektin politik, “dolën disa persona që u përpoqën të njollosnin emrin e tij”.

“Ndonëse nuk thanë asgjë kundër tij në luftë, pas luftës dolën me akuza të pabaza. Por, asnjë prej tyre nuk erdhi këtu në mënyrë që ta kontestonim”.

Rodney Dixon
Rodney Dixon
17:32 11.2.2026

Dixon thotë se ZPS ka prova “të pavërtetuara” kundër Veselit

Dixon tha se janë dy raste kur ZPS ka ofruar dëshmi kundër Veselit, por ai pretendoi se këto janë dëshmi të pavërtetuara.

Sipas tij, ZPS-ja synon të përdorë një provë, të pavërtetuar, të një personi që nuk është paraqitur në gjykatë, dhe ta përdorë si bazë për fajësinë e Veselit, duke shtuar se këto nuk janë në formën e deklaratës të një dëshmitari.

“ZPS mbështetet në prova dytësore. Por, pala mbrojtëse nuk ka mundur t’i marrë në pyetje këta dëshmitarë ku bazohen këto informacione”, tha ai.

Pretendimi i dytë, tha Dixon, ka të bëjë për një të ndaluar në Kleçkë, “edhe kjo është e bazuar në një informacion të dorës së dytë”.

“Akuza e vetme që vjen për pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejt vjen nga një dëshmitar të cilin unë nuk mund ta marr në pyetje”, tha Dixon.

17:50 11.2.2026

Dixon: Veprimet legjitime s’mund të kthehen në ndërmarrje të përbashkët kriminale

Mbrojtësi i Veselit, Rodney Dixon, tha në fund të seancës së sotme në Hagë se njerëzit u bashkuan rreth UÇK-së për të çliruar Kosovën, dhe ata nuk e formuan atë me “qëllim kriminal”.

“Veprimet legjitime nuk mund të kthehen në ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha ai.

Mbrojtja e Veselit vazhdon edhe nesër deklaratat përmbyllëse në Gjykatën Speciale.

17:59 11.2.2026

Lexues të nderuar,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ditës së tretë të deklaratave përmbyllëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin kundër ish-eprorëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në fillim të seancës, ishte radha e mbrojtjes së Thaçit për deklaratat përmbyllëse. Mbrojtësit e tij argumentuan se ai duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet, duke shtuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka vërtetuar akuzat kundër ish-presidentit të Kosovës.

Mbrojtja e Thaçit tha se nuk ka prova se ka ekzistuar një “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në të cilën Prokuroria pretendon se bënin pjesë të akuzuarit, së bashku me eprorë të tjerë të UÇK-së.

Mbrojtësit e Thaçit thanë se nëse ai shpallet fajtor, kjo do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”, ndërkaq për kërkesën e Prokurorisë që Thaçi dhe tre të akutzuarit e tjerë të dënohen me nga 45 vjet burgim, mbrojtja tha se kjo nënkupton “burgim të përjetshëm”.

Më pas, deklaratën përfundimtare nisi ta shpalosë ekipi mbrojtës i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.

Avokati i tij, Rodney Dixon, tha se rasti ndaj Veselit është unik, duke theksuar se Prokuroria “nuk ka asnjë provë” kundër klientit të tij.

Ai argumentoi se provat ndaj Veselit janë dytësore dhe të “paprovuara” dhe shtoi se asnjë dëshmitar në gjykatore nuk e ka lidhur Veselin me ndonjë vepër penale që përmendet në aktakuzë.

Mbrojtja e Veselit do të vazhdojë deklaratat përmbyllëse edhe nesër.

Faleminderit që na ndoqët!

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG