Prokuroria ka kërkuar tetë orë për shpalosjen e deklaratave
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e ka nisur fjalën e saj duke thënë se Gjykata Speciale është bërë "trup funksional, i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër".
"Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”.
Nis seanca
Të pranishëm në sallën e gjyqit janë të katër të akuzuarit.
Secila palë është prezantuar dhe deklaratat përmbyllëse pritet të shpalosen shumë shpejt.
Mirëmëngjesi të gjithëve,
Përmes këtij blogu do t’i përcjellim drejtpërdrejt të gjitha zhvillimet në fazën e re të procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, të cilët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Nga sot e deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.
Fillimisht deklaratat i nis Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.