Ndërlidhjet

Selia e Gjykatës Speciale në Hagë.
Selia e Gjykatës Speciale në Hagë.

Prokuroria kërkon nga 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

• Në Gjykatën Speciale në Hagë kanë nisur deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

• Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Për këto akuza, Prokuroria ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin - 180 vjet në total.

• Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

17:34

Prokurorët përfundojnë ditën e parë të deklaratave përmbyllëse

Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ditës së parë të deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë thanë se nesër prokurorëve do t'iu duhen më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West të mbajë një fjalë përmbledhëse.

Ishte West në fillim të ditës që njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total.

Prokuroria kërkon 180 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:33 0:00


Kjo kërkesë nxiti reagime në Kosovë, ku presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se çdo përpjekje për barazimin e luftës çlirimtare të UÇK-së me krimet e Serbisë, minon besimin në drejtësi.

Nga Partia Demokratike e Kosovës reaguan ashpër, duke e akuzuar Gjykatën Speciale se ka "devijuar" nga misioni për të sjellë drejtësi.

Ndërkaq, ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cilësoi si "akt padrejtësie" kërkesën për burgim me nga 45 vjet për secilin të akuzuar.

Në ditën e parë, prokurorët e specializuar folën për rolin që kishin të katër të akuzuarit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur këtë organizatë me strukturë dhe hierarki.

Prokurorët përmendën qendrat e ndalimit të UÇK-së, ku pretenduan se aty u keqtrajtuan dhe vranë shqiptarë, serbë, e persona të nacionaliteteve të tjera, që thuhet se shiheshin si kolaboracionistë nga UÇK-ja.

Pas ZPS-së, fjalën përmbyllëse do ta kenë mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse. Më pas, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Faleminderit që na ndoqët!

17:18

PDK: Qëndrimet e ZPS-së, devijim nga drejtësia

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimeve të ZPS-së, duke thënë se "sot u dëshmua" që gjykata në Hagë “ka devijuar nga misioni themelor për të sjellë drejtësi”.

“Në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit, u bë e qartë se nuk kemi të bëjmë me një proces të zakonshëm gjyqësor, por me një përpjekje të hapur për të deformuar të vërtetën historike dhe për të ndërtuar një narrativ të rremë, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës tentohet të paraqitet si projekt kriminal”, u tha në reagim.

Kjo parti tha se Serbia ishte “agresore dhe populli i Kosovës ishte viktimë”, duke rikonfirmuar bindjen në pafajësinë e katër të akuzuarve dhe “legjitimitetin e luftës së UÇK-së”.

“Liria nuk është krim. Dhe, historia nuk mund të rishkruhet”, tha kjo parti.

17:05

ZPS flet për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Prokurori Nathan Quick foli për Shtabin e Përgjithshëm dhe rolin e të akuzuarve në të. Sipas tij, Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe zëvendëskomandant.

“Ai kishte në varësi komandantët dhe zëvendëskomandantët”, tha Quick, duke shtuar se ai kishte autoritet të lëshonte urdhra.

Për Selimin, Quick tha se fillimisht ishte udhëheqës i drejtorisë operative dhe më pas inspektor i përgjithshëm i UÇK-së.

“Si inspektor i përgjithshëm detyra e tij ishte të inspektonte njësitë vartëse në terren. Ai vizitonte brigadat, njësitet e zbulimit, etj”, tha prokurori, duke shtuar se ai raportonte para Shtabit të Përgjithshëm dhe kishte autoritet për të marrë vendime.

Thaçi, ndërkaq, thuhet se ishte fillimisht udhëheqës i drejtorisë së informimit deri në mesin e nëntorit 1998.

Kjo drejtori “lëshonte deklarata publike dhe politike, kontrollonte qasje në media dhe u kërkonte anëtarëve të UÇK të merrnin autorizim para se të dilnin në publik”, tha Quick.

Sipas tij, Thaçi udhëhiqte drejtorinë politike dhe Veseli dhe Krasniqi ishin anëtarë të saj përpara nëntorit të vitit 1998.

Veseli, ndërkaq, thuhet se përveç se ishte në drejtorinë politike, ishte edhe udhëheqës i drejtorisë për zbulim.

Prokurori foli edhe për rolet e tyre në Qeverinë e Përkohshme dhe tha se në fund të shkurtit 1999, "anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm konfirmuan se Thaçi ishte kryeministër dhe Sylejman Selimi komandat i përgjithshëm”, duke shtuar se të akuzuarit e përdorën Qeverinë e Përkohshme si mjet për të ushtruar ndikimin e tyre.

16:32

Rinis seanca

Pas një pushimi të shkurtër, prokurorët e specializuar po vazhdojnë deklaratat përmbyllëse, duke folur tashmë për rolin e Shtabit të Përgjithshëm,

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG