Rinis seanca
Pas pushimit të drekës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka rinisur seanca.
Haxhiu: Kërkesa e ZPS-së për dënim, akt padrejtësie
Ish-ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e konsideroi si “akt padrejtësie dhe një fyerje për viktimat shqiptare të luftës” kërkesën e ZPS-së që katër ish-eprorët e UÇK-së të dënohen me nga 45 vjet secili.
“Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, shkroi ajo në Facebook.
Haxhiu tha se Serbia ka kryer “krime lufte të dokumentarua” që janë të “regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë”.
“E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan”, shkroi ajo.
Gjykata në pushim
Dhomat e Specializuara kanë shkuar në pushim të drekës. Deri atëherë, lexoni në tekstin e mëposhtëm më shumë për procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së:
ZPS flet për qendrat e ndalimit
Prokuroria paraqiti një hartë për qendrat e pretenduara të ndalimit të UÇK-së. Sipas ZPS-së, aty, të ndaluar u paraburgosën në mënyrë arbitrare, u keqtrajtuan, u zhdukën dhe u vranë.
Në periudhën prill 1998 deri në gusht 1999 janë regjistruar 437 incidente të ndalimit, tha ZPS-ja, duke shtuar se këto incidente janë pjesë e aktakuzës.
“Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në kohën e arrestimit të tyre”, tha një prokuror i specializuar.
Sipas prokurorisë në Hagë, në mesin e të ndaluarve kishte edhe forca kundërshtare, por edhe anëtarë të UÇK-së. Viktimat, sipas ZPS-së ishin “shqiptarë të Kosovës, serbë, romë, malazezë boshnjakë, maqedonas, burra, gra dhe fëmijë”, që u mbajtën në qendra me orë, ditë, javë apo muaj.