Ndërlidhjet

Kongresistët amerikanë takohen me krerët në Kosovë

E përditësuar
U.d. e presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
U.d. e presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë po qëndrojnë në Kosovë ku po zhvillojnë takime me krerët shtetërorë.

Keith Self, nga radhët e republikanëve, dhe Suhas Subramanyam, nga radhët e demokratëve, fillimisht u takuan me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Më pas, ata shkuan në Qeveri për takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Ende nuk ka ndonjë deklarim lidhur me këto takime.

Kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, duke shkuar në Qeverinë e Kosovës për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, duke shkuar në Qeverinë e Kosovës për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Self dhe Subramanyam arritën në Kosovë pasditen e 26 majit, pasi qëndruan në Luginë të Preshevës ku u takuan me zyrtarë të ndryshëm shqiptarë në jug të Serbisë.

Self tha se pasi mësuan për problemet reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, vizita në Kosovë zhvillohet për të “mësuar për pakicën serbe atje”.

“Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre", u tha Self gazetarëve në Luginë të Preshevës.

Para se të qëndronin në Luginë të Preshevës - term që përdoret për tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku jetojnë shqiptarë - kongresistët zhvilluan takime në Bosnje dhe Hercegovinë.

Një javë më parë, Kurti njoftoi se kishte zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, përfshirë edhe me Selfin.

“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, tha Kurti përmes një postimi në X, pas bisedës.

Vizita e kongresistëve vjen pasi në prill, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Në këtë rezolutë, që gëzon mbështetje dypartiake në Shtetet e Bashkuara, thuhet se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

Kosova synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, por ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim, teksa mosnjohja nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vlerësohet pengesë drejt anëtarësimit në aleancë.

Vendi aktualisht është në proces të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, proces që pritet të zgjasë deri më 2028.

Pranimi i një anëtari në NATO kërkon mbështetje unanime, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG