Ndërlidhjet

Demokracia e pakonsoliduar e Kosovës “mbyll” dyert për ndryshime


Ilustrim

Autor: Nektar Zogjani

Në tri dekadat e fundit, Kosova ka kapërcyer nëpër kthesa unike. Nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë në vitet e 90-ta deri te shpallja e pavarësisë në vitin 2008, shteti më i ri në Evropë ka provuar në lëkurë të vet dilema thuajse ekzistenciale. Por, teksa muaj më parë ka përmbyllur një dekadë shtet – e përshkruar me njohje nga afër 120 vende dhe anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare - dilema mbesin për shkallën e demokracisë së vendit.

Ashtu si shtetet e tjera të rajonit, Kosova vazhdimisht është vlerësuar me nota të ulëta në disa prej fushave që masin demokratizimin e një shteti, siç janë zgjedhjet e lira, transparenca e llogaridhënia institucionale, ndarja e pushteteve si dhe liria e medies e respektimi i të drejtave të njeriut.

Madje, organizata ndërkombëtare Freedom House, që monitoron disa prej këtyre aspekteve, e ka cilësuar Kosovën si vend “gjysmë të konsoliduar autoritar”, kurse Bashkimi Evropian konsideron se vendi është vetëm në faza të hershme të zhvillimit të institucioneve, siç janë ato të sundimit të ligjit, apo edhe fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

"Kosova vazhdon të jetë një burim i mundshëm i destabilitetit, dhe një arsye e rëndësishme për këtë është pikërisht demokracia e dobët e saj”, thotë Andrea Lorenzo Capussela, autor i librit "Shtetndërtimi në Kosovë: Demokracia, Korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan", në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Por, një aspekt i rëndësishëm që lidhet ngushtë me demokracitë e konsoliduara, që ka të bëjë me përfshirjen e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje, vazhdon të shqetësojë jo pak njerëz në Kosovë.

Agron Demi, analist politikash në Institutin GAP, thotë se raportet dhe rekomandimet e tyre dhe shumicës së OJQ-ve dhe mediave në Kosovë, edhe pse arrijnë të dokumentojnë keqpërdorime dhe të artikulojnë rekomandime për çështje të ndryshme, "fatkeqësisht në shumë pak raste merren për bazë prej institucioneve".

“Ne këso raste, e mira e së mirës do të ishte që të kemi prokurori e gjykata të cilat nuk i lejojnë këto raporte të mbesim vetëm në letër”, thotë ai.

Shpërfillje nga institucionet

Organizata e Demit, tash e një kohë është duke avokuar që ta ndryshojë një Udhëzim Administrativ, që sipas tyre, mundëson monopol në homologimin e veturave të reja që hyjnë në Kosovë.

Me gjetjet e këtij instituti, të cilat ishin publikuar në vitin 2016, është pajtuar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), që javë më parë ka rekomanduar rishikimin e disa neneve të caktuara të këtij Udhëzimi Administrativ, të cilat sipas AKK-së, bien ndesh me mbrojtjen e konkurrencës.

Demi tregon se Ministria e Infrastrukturës fillimisht e kishte ftuar Institutin GAP që ta bëjë një analizë rreth kësaj çështje, porse i kishte ofruar fare pak bashkëpunim gjatë procesit.

“Ministri na ka lejuar qasje vetëm pak minuta në të [kontratën me kompaninë private për homologim], dhe kemi parë që është një marrëveshje e nënshkruar pa proces prokurimi”, sqaron ai.

“Fatkeqësisht, Ministria e Infrastrukturës nuk duket qe do t’i marrë për bazë rekomandimet e GAP-it dhe ato të AKK-së [për ndryshimin e disa neneve të Udhëzimit]”.

Në një situatë sikur Demi është gjendur edhe gazetari Petrit Çollaku, të cilit Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014 i kishte lejuar po ashtu kohë të shkurtër për ta shfletuar një kontratë që Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar me një kompani të huaj, për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”.

Çollaku tregon se ai dhe gazetarët e tjerë që kanë pasur rastin ta shohin kontratën, nuk ishin lejuar as ta fotografojnë atë.

Edhe pse kontrata kishte peshën sa gjysma e buxhetit të Kosovës, ajo mbahet e fshehtë nga Qeveria e Kosovës. Për më tepër, fatin e njëjtë e ka pasur edhe kontrata për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, që e lidhë Kosovën me Maqedoninë, që buxhetit të shtetit i kushton rreth 600 milionë euro.

“Ishin siguruar dy kopje të kontratës, mediat dhe OJQ-të ishin ftuar për t'i lexuar ato, në një dhomë ku ishin caktuar dy roje, për t’u kujdesor për kontratat, apo nëse dikush tenton të fotografojë konratën," tregonÇollaku.

"Nuk është e mundur që një kontratë e madhe dhe e komplikuar, si kjo e autostradës ‘Ibrahim Rugova’, të analizohet apo të nxirren konkludim duke qenë i ulur në njërën prej tavolinave, e duke i pasur mbi kokë zyrtarët e Ministrisë", shton ai.

Çollaku, i zgjedhur rishtazi drejtor i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se gjatë kohës sa punonte si gazetar, në shumë raste nuk i është përfillur kërkesa për qasje në dokumente zyrtare. Një shqetësim i tillë ndahet vazhdimisht edhe nga kolegë të tjerë të tij.

Megjithatë, një e arritur pozitive në këtë drejtim është shënuar pak kohë më parë, kur u publikua kontrata për ndërtimin e termocentralit "Kosova e Re", po ashtu një kontratë me peshë të madhe financiare.

Mundësi të kufizuara për të ndikuar vendimet

Por, përveç shqetësimeve të gazetarëve dhe organizatave te shoqërisë civile lidhur me nivelin e dobët të bashkëpunimit me institucione, edhe hapësira e qytetarëve për të iniciuar ndryshime në komunitetet apo në shoqëri mbetet disi e kufizuar për një numër arsyesh.

Shembull, vendi nuk e ka ende të rregulluar me ligj mbajtjen e referendumeve, dhe për shkak të rrethanave politike, një gjë e tillë nuk duket fare në agjendë për t'u rregulluar. Në këto rrethana, qytetarët kufizohen në zgjedhje që mbahen çdo disa vjet, pjesëmarrja në të cilat vazhdon të jetë e ulët, rreth 40 për qind. Vetëm në dy palë zgjedhjet e para pas përfundimit të luftës, pjesmarrja në zgjedhje e kishte kaluar 50 përqindëshin.

Për më tepër, që nga viti 2010, asnjë legjislaturë nuk ka arritur ta kryejë mandatin deri në fund, duke pamundësuar kështu përmbushjen me sukses të agjendës së Qeverisë dhe Kuvendit.

Në anën tjetër, sistemi zgjedhor aktual, që parasheh një zonë të vetme zgjedhore, nënkupton që komuna të ndryshme, në fakt të mbesin pa përfaqësuesin e tyre në Kuvend, që në praktikë e vështirëson komunikimin mes qytetarëve të një komunë të caktuar me organin më të rëndësishëm në vend.

Liderët politikë në vend tash e disa vite janë zotuar ta ndryshojnë këtë ligj, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Një ligj i ri zgjedhor pritet ta ndryshojë edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit të shtetit nga zgjedhja përmes Kuvendit në votim të drejtpërdrejt nga qytetarët. Aktualisht, posti i presidentit mbetet në 'mëshirën' e pazarave politike mes partive, anipse sipas Kushtetutës, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe pa afërsi me ndonjë subjekt të caktuar politik.

Në këto rrethana, ekziston një qëndrim pesimist i qytetarëve ndaj votimit, por edhe partive politike në përgjithësi. Bazuar në një anketë të UNDP-së në Kosovë të realizuar në tetor të vitit 2017, del se vetëm rreth 38 për qind e qytetarvë besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshim pozitiv në vend.

Kurse, një hulumtim i Institutit Demokratik të Kosovës, i publikuar në shkurt të këtij viti, thotë se të rinjtë në Kosovë i përceptojnë partitë politike "si mundësi për punësim apo avancim më të lehtë në karrierë", porse në përgjithësi manifestojnë nivel të lartë të mosbesimit ndaj tyre.

Në vitin 2016, mediat në Kosovë publikuan një numër përgjimesh telefonike, përmes së cilave u kuptua se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, parti në pushtet që nga viti 2007, angazhoheshin që të punësojnë njerëz të afërt me këtë parti në poste të rëndësishme të institucioneve të pavarura shtetërore. Ky rast është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

Partitë politike në Kosovë konsiderohen si të mbyllura, me personalitet të fuqishëm të liderit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për shembull, udhëheqë me partinë e tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që nga themelimi i saj pas përfundimit të luftës. Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, tash e disa mandate është kryetar i partisë së tij, Aleanca Kosova e Re. Përgjithësisht, ato poashtu kritikohen për mostransparencë financiare dhe demokraci të brendshme të dobët.

Stabilitet afatshkurtër në vend të demokracisë së konsoliduar

Andrea Lorenzo Capussela, ish-shef i njësitit ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare, një mision që ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, në librin e tij rreth shtetndërtimit të Kosovës dhe demokracisë së saj, thotë se Kosova vazhdon të jetë një vend i varfër dhe i kërcënuar nga mungesa e sundimit të ligjit.

Por, ai argumenton se problemi kryesor i vendit mbetet demokracia e dobët, dhe se përgjegjësia politike e liderëve është shumë e vogël që qytetarët të mund të bëjnë trysni për të reduktuar korrupsionin dhe ta përshpejtojnë rritjen ekonomike.

Ai thotë kur një demokraci është e dobët, interesi i publikut shumë shpesh mund të injorohet.

"Kjo besoj është ajo çfarë shohim në Kosovë, ku interesat e elitave politike dhe ekonomike, dhe interesi personal i figurave kryesore, mbizotëron ndaj interesit të përgjithshëm të shoqërisë", thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai është kritik edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare që ka ndihmuar krijimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në fakt, viteve të fundit, BE është kritikuar se ka shfaqur interesim për të bashkëpunuar me liderë të fuqishëm të rajonit, të kritikuar për tendeca autokratike, në një lloj marrëdhënie të ashtuquajtur "stabilo-kraci".

Capussela thotë se është i lumtur që kjo kritikë është bërë aktuale.

"Bashkësia ndërkombëtare ka mundur të bëjë punë më të mirë në promovimin e demokracisë së Kosovës. Zhgënjimi im kryesor është se stabiliteti afatshkurtër ka qenë prioritet më i madh se sa demokracia", thotë ai.

Të shtohet trysnia ndaj Qeverisë

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, që ka përvojë të gjatë si gazetar, kohë më parë kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me pafuqinë e mediave në Kosovë për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri.

Shkak për një reagim të tij ishte bërë fakti se disa gazetarë brenda një kohe kishin braktisur mediat për t'iu bashkuar partive politike.

"Në fakt, nuk ka asgjë të keqe për një gazetar, nëse vendos ta lërë gazetarinë dhe t'i futet politikës. Ata gazetarë, analistë apo pjesëtarë të gazetarisë qyetetare (civic journalism) shkojnë nëpër parti duke besuar se mund të japin më shumë kontribut për ndryshime pozitive, sesa që japin përmes aktivizmit gazetaresk," kishte shkruar Paçarizi në llogarinë e tij në Facebook.

"I keq është mesazhi shoqëror i krejt këtij muhabeti, pasi që kjo do të thotë se media është e pafuqishme për ndryshime reale, se media është e papërfillshme, një zë i shurdhër. Natyrisht, në shoqërinë tonë", ka shkruar ai.

Edhe Capussela ka një opinion të ngjashëm me Paçarizin, por sa i përket ndikimit të organizatave të shoqërisë civile në vend.

Sipas tij, në rrethana aktuale, bashkëpunimi në mes të shoqërisë civile dhe Qeverisë është i rëndësishëm, por thotë se "Kosova ka nevojë për më shumë presion nga ana e shoqërisë civile tek autoritetet politike sesa bashkëpunim mes tyre".

"Jo që bashkëpunimi nuk është i dëshirueshëm, natyrisht", thotë ai, duke shtuar se elitat në Kosovë nuk do ta dëgjojnë shoqërinë civile të Kosovës, përveç "nëse ato janë të detyruara ta bëjnë një gjë të tillë".

Dhe arsyeja pse institucionet kanë luksin ta injorojnë shoqërinë civile, sipas tij, është se kësaj të fundit i mungon fuqia për ta imponuar veten.

"Ata do të dëgjojnë vetëm kur shoqëria civile, por në përgjithësi opinioni publik, të mbledhë forcën e mjaftueshme për të thënë 'mjaft!'. Pastaj, elitat politike do të frikësohen për mbijetesën e tyre, do të dëgjojnë, dhe bashkëpunimi i mirëfillutë do të fillojë", thotë Capussela.

XS
SM
MD
LG