Ndërlidhjet

Përkujtohet 75-vjetori i deportimit të hebrenjve nga Maqedonia


"Marshi i të gjallëve", i organizuar në Maqedoni në 75-vjetorin e deportimit të hebrenjve nga Maqedonia
"Marshi i të gjallëve", i organizuar në Maqedoni në 75-vjetorin e deportimit të hebrenjve nga Maqedonia

Mijëra qytetarë nga Shkupi, Manastirit, delegacione shtetërore dhe të ftuar nga Izraeli dhe vendet fqinje kanë marrë pjesë në “Marshin e të gjallëve” në përkujtim të 75-vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Maqedonia drejt llogorit fashist Treblinka, në mars të vitit 1943. Bëhet fjalë për mbi 3 mijë hebrenj të cilin ishin nisur me tren nga qytetit i Manastirit drejt llogorit të vdekjes.

Në “Marshin e të gjallëve” ku morën pjesë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryeministrat e Bullgarisë, Bojko Borisov dhe Bosnjë Hercegovinës, Deniz Zvizdiq, u përcollën mesazhe për paqe dhe bashkëjetesë dhe që krime të tilla të mos përsëriten asnjëherë.

“Holokausti ishte luftë kundër njerëzve, lirisë dhe jetës tonë të përbashkët. Ata të cilët arritën të mbijetojnë çmendurinë e krimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të përbashkët. Angazhimi për të kujtuar tmerrin e asaj kohë e bënë Maqedoninë më të begatë dhe ne jemi mirënjohës për këtë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. 12 mars, 2018
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. 12 mars, 2018

“Sot jemi këtu që të tregojmë respektin dhe dhimbjen tonë për të vrarët, por edhe të tërheqim konkluzione se Ballkanin duhet ta ndërtojmë, të punojmë së bashku për një jetë më të mirë dhe të lumtur për popujt tanë”, ka deklaruar kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.

Përfaqësuesit e shtetit të Izraelit, të pranishëm në manifestimet e mbajtura në Shkup dhe Manastir, thanë se këto zhvillime ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës për të gjitha krimet që janë bërë ndaj këtij populli gjatë kohës së fashizmit.

“Ngjarjet në Manastir ende nuk janë sqaruar sa duhet pasi nuk janë gjallë të gjitha ata që mund të rrëfenin atë që ka ndodhur. Në një mëngjes ata ishin dërguar në llogoret në Trebelinka dhe asnjëherë më nuk u kthyen. Këtu jemi që të tregojmë atë që u kishte ndodhur atyre”, ka deklaruar Rabin Eliahu Mihail Ben Dahan, zëvendësministri i Mbrojtjes së Izraelit.

Në kuadër të manifestimeve për këtë përvjetor, në Kuvendin e Maqedonisë është miratuar një deklaratë, përmes të cilët është dënuar Holokausti dhe të gjitha format tjera të gjenocidit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, si antisemitizmi, diskriminimi, gjuha e urrejtjes, ksenofobia dhe racizmi.

“Në bashkëpunim me ambasadorin e Izraelit në Maqedoni dhe bashkësinë hebrenje këtu, edhe Kuvendi është përfshirë në shënimin e 75-vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Maqedonia. Deklarata është në kontekst të mbështetjes dhe kundërshtimit të akteve të tilla, të cilat asnjëherë nuk duhet t’i lejojnë që të ndodhin”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Në këtë seancë kanë marrë pjesë edhe deputetët e VMRO-së opozitare, e cila tani disa muaj bojkoton punimet e Kuvendit.

XS
SM
MD
LG