Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

“Kohë shtesë për bisedime”: Shtyhet konstituimi i Kuvendit

  • Seanca konstituive u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari
  • Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit
  • Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime
  • Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani.
  • Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.
13:20 6.8.2026

Kurti: Për t’i shmangur zgjedhjet e reja duhet t’u japim shans bisedimeve

Lideri i partisë në pushtet vazhdon të ngulë këmbë në zhvillimin e bisedimeve me partitë parlamentare dhe ai përsëri u bëri thirrje Partisë Demokratike dhe Aleancës për t’iu bashkuar bisedimeve.

“Është e nevojshme t`i jepet shans vazhdimit të diskutimit para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit”, tha Kurti.

“Unë dua bashkëpunim prandaj marrë iniciativa, prandaj komunikojmë, veçse unë mund të kem lajme të reja për juve atëherë kur do të kemi marrëveshje”, shtoi ai

Kurti tha se takime e tij të deritanishme me Lidhjen Demokratike të Kosovës “nuk janë më lajme”.

Sipas tij, lajm do të ishte marrëveshja.

LDK-ja ka kërkuar postin e presidentit, pavarësisht insistimit të Kurtit që presidenti të jetë jopartiak, por “një figurë konsensuale, e pranueshme për të gjithë”.

Kurti tha se për të lajm do të ishte nëse PDK-ja dhe Aleanca pranojnë të hyjnë në bisedime.

“Por, më duhet ta pranoj që takimet me PDK-në e AAK-në do të ishin lajm dhe unë uroj që të kemi lajme të tilla sepse ato janë të mira”, theksoi Kurti.

“Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur pajtueshmëri për çështjen e presidentit të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera. Herën e kaluar e pamë që pa e zgjidhur çështjen e presidentit kot e konstituojmë Kuvendin apo e votojmë e formojmë qeverinë sepse vendi u desh të shkonte në zgjedhje”, tha ai.

13:02 6.8.2026

Kurti thotë se nevojitet marrëveshje para se të vazhdohet seanca konstituive

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje kërkon bisedime me partitë e tjera parlamentare për ta gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, para se të vazhdohet me seancën konstituive të Kuvendit.

“Është e nevojshme t’i kthehemi diskutimeve për ta zgjidhur çështjen e presidentit, dhe kur ta kemi një marrëveshje ta thërrasim vazhdimin e seancës konstituive”, tha Kurti.

Duke folur pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti shtoi: “Pra, kur të kemi të siguruar që kemi bërë çdo gjë për ta shmangur shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë”.

Kurti ka qenë në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por deri tani nuk ka arritur pajtueshmëri.

Ai i ftoi për bisedime edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën, të cilat e kanë refuzuar deri tani, duke zgjedhur të qëndrojnë në opozitë.

Albin Kurti.
Albin Kurti.
12:42 6.8.2026

Tahiri e kritikon Kurtin për "papërgjegjësi"

Papërgjegjësi e veprim për "pazar politik", e ka konsideruar mospropozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.

Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës është “jashtëzakonisht i dëmshme për Kosovën”.

“Nuk kemi të bëjmë me një problem kushtetues. Këtu ka problem me një logjikë autoritare për t'ia arritur t'i marrë të tri pushtetet: Presidentin, Qeverinë dhe Kuvendit. Nuk kemi të bëjmë me krizë kushtetuese. Është e pastër sikur loti procedura dhe është situata jashtëzakonisht e lexueshme”.

Tahiri ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për mos arritjen e një marrëveshjeje.

“Nëse ka qenë qëllimi për me dalë prej këtij rrethi vicioz dy vjeçar, pse nuk ke fol me partitë politike për presidentin e Kosovës, se nyja, problemi thelbësor nuk është te qeveria, nuk është te Kuvendi, por është te presidenti po e ke neglizhuar deri në këtë ditë”.

12:32 6.8.2026

Bugaqku: Afati për konstituimin e Kuvendit skadon nesër

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës skadon nesër në mesnatë, ndërsa shtyrja e seancës synon t’u japë më shumë kohë subjekteve politike për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundon nesër.

“Duhet të presim se çfarë do të ndodhë në seancën e radhës dhe nëse eventualisht do të konstituohet Kuvendi, si dhe do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit”, tha Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG